Mes gjithë piktorëve që historia e artit ka njohur, Claude Monet mbetet ai te i cili kthehem gjithmonë, siç kthehemi te një vend i dashur pas një udhëtimi të gjatë. Nuk është thjesht çështje shijesh artistike por diçka më e thellë, më personale, më e vështirë për t’u shpjeguar. E adhuroj Mone-në sepse në pikturat e tij gjej një përzierje të rrallë ngjyrash, elegance dhe ndjenjash që rrallëherë bashkëjetojnë me kaq natyrshmëri. Ngjyrat e Mone-së nuk janë kurrë vetëm ngjyra por një peizazh që krijojnë një gjendje shpirtërore. Bluja e ujit, e gjelbra e brigjeve, e arta e dritës që përhapet mbi sipërfaqen e lumit nuk të tregojnë vetëm atë që ai ka parë, por edhe atë që ka ndier. Duke i soditur, krijohet përshtypja se natyra nuk është pikturuar me penel, por me emocion dhe këtë e ndien veçanërisht te piktura “Pamje e Argenteuil-it nga dega e vogël e lumit Sena” e vitit 1872. Në pamje të parë duket një peizazh i qetë, një lumë, disa varka, pak dritë dhe një horizont i larë me ngjyra të buta. Por Monet nuk pikturon thjesht një pamje pranë ujit por qetësinë, dritën, atë çast të brishtë kur natyra duket sikur harron të lëvizë dhe koha ngadalëson ritmin e saj. Edhe stili i tij më ka magjepsur gjithmonë. Në një botë që kërkon përsosmërinë e ftohtë, Monet zgjodhi bukurinë e çastit, detajin me saktësi matematikore, dritën që ndryshon, hijen që lëviz, reflektimin që zhduket pas pak sekondash e në këtë mënyrë, pikturat e tij ngjajnë me vetë jetën, të papërsosura, kalimtare dhe pikërisht për këtë arsye, të mrekullueshme. Duke soditur këtë vepër, syri endet mes reflektimeve të ujit, varkave të qeta dhe qiellit që shkrihet me lumin në një harmoni pothuajse poetike. Nuk ka dramë megjithatë pikërisht në këtë thjeshtësi fshihet madhështia e saj. Monet është mjeshtër i dritës dhe i çastit. Ai kuptoi diçka që ne shpesh e harrojmë, se bukuria nuk jeton vetëm në ngjarjet e mëdha, por edhe në ato momente të qeta që kalojnë pa zhurmë. Pastaj vjen eleganca, ajo që qëndron e heshtur dhe e sigurt në bukurinë e saj. Një varkë mbi ujë, një re që kalon ngadalë, disa pemë të prekura nga drita e pasdites. Asgjë e jashtëzakonshme e megjithatë gjithçka duket e jashtëzakonshme. Monet na kujton se madhështia nuk qëndron gjithmonë te gjërat e mëdha por te gjërat e thjeshta që syri i zakonshëm kalon pa i vënë re. Por ajo që më prek më shumë është dhimbja e heshtur që ndihet në veprat e tij, melankolia e lehtë që lind kur kupton se çdo dritë zgjat vetëm pak, se çdo stinë kalon, se çdo moment i bukur është i destinuar të bëhet kujtim. Drita ndryshon, uji rrjedh, koha ecën pa u ndalur dhe asgjë nuk mbetet njësoj. Ndoshta pikërisht për këtë pikturat e Monet-it prekin kaq thellë shpirtin. Sepse ato nuk flasin vetëm për bukurinë, por edhe për përkohshmërinë e saj. Na kujtojnë se gjërat më të bukura nuk janë domosdoshmërisht ato që zgjasin më shumë, por ato që arrijnë të lënë gjurmë. Dhe ndoshta ky është sekreti i dashurisë sime për Monet-in. Tek ai gjej ngjyra që qetësojnë shpirtin, stil që nuk plaket kurrë, elegancë që nuk ka nevojë të imponohet dhe një dhimbje të butë që i jep kuptim çdo gjëje të bukur. Sepse arti më i madh nuk është ai që të mahnit për një çast, por ai që mbetet me ty gjatë, si një kujtim i bukur që refuzon të largohet. Ashtu si ky lumë i qetë i Argenteuil-it, që vazhdon të rrjedhë nëpër telajo edhe pas më shumë se një shekulli, duke na kujtuar se bukuria e vërtetë nuk bën zhurmë por thjesht qëndron aty, duke pritur të soditet.
