Ka të vërteta që nuk kanë nevojë të shpallen me zë të lartë për të qenë të rënda, sepse ato ndihen menjëherë kur mungojnë dhe liria e shtypit është pikërisht një prej tyre, një gjendje delikate ekuilibri mes së drejtës për të informuar dhe përgjegjësisë për të kuptuar realitetin pa filtra të imponuar. Në rrjedhën e historisë moderne, kjo liri është kristalizuar si parim ndërkombëtar përmes Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, e cila u vendos pas një momenti kyç reflektimi global mbi rolin e medias, ndërsa në vitin 1991, në Windhoek, gazetarë nga e gjithë bota hartuan Deklaratën e Windhoek-ut, duke kërkuar me qartësi një shtyp të lirë, të pavarur dhe pluralist, një kërkesë që më pas u njoh edhe nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së si themel për standardet bashkëkohore të lirisë së shprehjes. Por historia e kësaj lirie nuk fillon aty, sepse ajo shtrihet shumë më herët, që nga momenti kur Johannes Gutenberg revolucionarizoi mënyrën se si shpërndahej fjala e shkruar, duke e nxjerrë informacionin nga duart e pakta të kontrollit dhe duke e vendosur atë në qarkullim më të gjerë shoqëror, çka hapi një epokë të re ku ideja e shtypit filloi të lidhej ngushtë me idenë e lirisë. Në këtë vijë historike, figura të shumta gazetarie kanë lënë gjurmë të thella dhe një prej tyre është Anna Politkovskaya, e cila me guximin e saj në raportimin e luftës në Çeçeni dhe kritikën ndaj pushtetit, u kthye në simbol të gazetarisë investigative që nuk i nënshtrohet frikës, duke treguar se e vërteta shpesh ka një kosto personale shumë të lartë, por edhe një vlerë shoqërore të pazëvendësueshme. Në këtë kuptim, liria e shtypit nuk është një dekor institucional i demokracisë, por një mekanizëm jetik që mban të hapur hapësirën e debatit publik, sepse kur informacioni kontrollohet ose deformohet, shoqëria humbet aftësinë për të dalluar realitetin nga narrativa e imponuar, dhe pikërisht atëherë fillon rrëshqitja e ngadaltë drejt mungesës së transparencës. Edhe sot, sfidat nuk janë zhdukur, por kanë ndryshuar formë, sepse përveç censurës klasike, gazetaria përballet me presione ekonomike, me dezinformim të strukturuar dhe me një mbingarkesë informacioni që shpesh e bën të vërtetën më të vështirë për t’u dalluar sesa për t’u gjetur, duke e kthyer rolin e gazetarit në një përgjegjësi edhe më të ndërlikuar. Megjithatë, pavarësisht kohës dhe formave të ndryshme të kufizimit, ideja thelbësore mbetet e pandryshuar,një shoqëri që nuk garanton lirinë e shtypit nuk humbet vetëm një të drejtë profesionale të gazetarëve, por humbet një nga shtyllat e veta më të rëndësishme morale dhe demokratike, sepse aty ku fjala nuk është e lirë edhe e vërteta bëhet e diskutueshme në mënyrë të rrezikshme.
