Dentisti ka qenë përherë një nga fobitë e mia më të vjetra, një frikë që nuk e di nëse ka lindur nga ndonjë dhimbje konkrete apo thjesht nga ajo ndjesi që të kap që fëmijë, kur e di se do të ulesh në një karrige ku dikush do të merret me dhëmbët e tu dhe ti nuk ke shumë mundësi të bësh tjetër veçse t’i besosh. Që e vogël, e mbaj mend veten duke ngjitur shkallët e ambulancës deri në katin e tretë, me një lloj ankthi që më shtohej në çdo shkallë, për të shkuar tek doktor Fotaqi, miku i ngushtë i xhaxhait tim. Ishin vite të tjera, një tjetër kohë, dhe ndoshta edhe dentistët ishin mësuar me fëmijët që hynin në kabinet me frikë e dilnin përsëri me frikë për orarin e ditës tjetër. Por frika ime mbeti.Më vonë, kur u rrita, dhëmbët e mi u mjekuan për vite nga xhaxhai im, Dhori Çaushi, dhe nga Lola Mezini, siç jemi mësuar ti flasim shkurt, dy njerëz që tashmë janë të moshuar, por që në kujtesën time do të mbeten gjithmonë të lidhur me një pjesë të rëndësishme të jetës sime. Ishte një kujdes që vinte edhe nga familja, nga besimi dhe nga ajo ndjesia e veçantë që ke kur duart që kujdesen për ty nuk janë thjesht duar profesionistësh, por duar njerëzish që të njohin dhe të duan. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, edhe pse frika nuk u zhduk kurrë plotësisht, me kalimin e viteve mësova të ulem në atë karrige dhe të përballoj atë që dikur më dukej e tmerrshme. Por frika, siç ndodh me disa kujtime të fëmijërisë, mbeti diku brenda meje. U rrit bashkë me mua dhe, pa e kuptuar, u bë pjesë e kujtesës sime emocionale. Mjaftonte të dëgjoja fjalën “dentist” dhe diku brenda meje zgjohej ajo vajza e vogël që ngjiste shkallët e ambulancës, duke menduar se çfarë do ta priste në katin e tretë. Ndoshta disa frikëra nuk zhduken vetë. Ndoshta ato thjesht presin njeriun e duhur për t’u kthyer në diçka tjetër. Dhe për mua, ai njeri është Alba. Ka njerëz që e ushtrojnë profesionin e tyre me korrektësi dhe ka të tjerë që, përtej profesionit, sjellin me vete një mënyrë të veçantë për të të bërë të ndihesh i sigurt. Alba i ka të dyja, e kujdesshme, e qetë, gojëëmbël, e duruar, gjithmonë e buzëqeshur dhe mbi të gjitha profesioniste, ajo ka ditur të më bëjë të harroj se dikur dentisti ishte një nga frikërat e mia më të mëdha. Ndoshta sekreti nuk është vetëm tek duart e një dentisti të mirë, por edhe tek mënyra se si ai të flet, si të shpjegon, si të dëgjon dhe si të jep atë ndjesinë e rrallë se je në duar të sigurta. Edhe ambienti ka pjesën e vet në këtë histori. I ngrohtë, komod dhe i menduar me kujdes, ai nuk të jep atë ndjesinë e ftohtë të një kabineti ku shkon vetëm për të kuruar një problem, përkundrazi, të krijon një qetësi që të ndihmon të lësh pas derës edhe pak nga frika që ke sjellë me vete. Dhe kështu, pa e kuptuar, një vizitë te dentisti nuk është më ajo përballja e vjetër me frikën. Është thjesht një vizitë. Madje, sot mund të them se shkoj e qetë dhe dal e lumtur. Ndoshta kjo është edhe një nga ato mësimet e vogla që na jep jeta, se jo çdo gjë që na ka frikësuar dikur duhet të vazhdojë të na trembë përgjithmonë dhe se ndonjëherë mjafton të gjesh njeriun e duhur, atë që e ushtron profesionin me dije, por edhe me zemër, që një frikë e vjetër të humbasë fuqinë mbi ty. Prandaj, për Albën, dentisten që më mjekon dhëmbët, por në një farë mënyre edhe shpirtin, dua të lë këtu një falënderim. Nuk kam bërë kurrë reklama dhe as ky shkrim nuk është i tillë. Është thjesht një mirënjohje e sinqertë për një profesioniste që e meriton të thuhet bravo për të. Sepse në fund të fundit, një profesionist i mirë nuk matet vetëm me atë që bën me duart e tij. Matet edhe me qetësinë që u jep njerëzve që i besohen. Dhe unë, pas kaq vitesh, mund ta them me një buzëqeshje: Fobia ime e vjetër ka gjetur më në fund një vend ku ndihet e sigurt.
Ajo është Alba në AlbaDent😊
Ndaje
