Kur forca lind nga sulmi

Ndaje

Sot është provimi i parë i maturës, dhe në ajër ekziston ajo heshtja e veçantë që shfaqet vetëm në momentet kur jeta duket sikur ndalet për një çast, jo për të të trembur, por për të të kujtuar se po kalon nga një kapitull në tjetrin.
Ky nuk është thjesht një provim me pyetje dhe përgjigje, por një nga ato ditë që nuk maten vetëm me orën e fillimit dhe të mbarimit, por me gjithë rrugën që të ka sjellë deri këtu, me lodhjen që nuk është parë gjithmonë, me përpjekjet e vogla të përditshme që, të marra së bashku, kanë ndërtuar këtë moment. Shko me qetësi biri im, me mendje të kthjellët dhe me besim te vetja.
Mos e shih këtë provim si një mur përballë teje, por si një portë të thjeshtë që duhet kaluar me dinjitet, sepse ajo që vlen më shumë nuk është përsosmëria, por prania jote e sigurt në atë që di dhe në atë që je.
Edhe nëse mendja të ngatërrohet për një çast, edhe nëse një pyetje nuk të duket e lehtë, kujto se një provim nuk ka fuqinë të përmbledhë gjithë dijen, gjithë karakterin dhe gjithë potencialin që mban brenda vetes. Jeta nuk fillon dhe nuk mbaron sot.
Kjo sot është vetëm një stacion i vogël në një rrugë shumë më të gjatë, ku do të ketë ditë më të lehta dhe më të vështira, fitore dhe dështime, por gjithmonë mundësi për t’u ngritur përsëri. Ajo që ka më shumë rëndësi është mënyra si ecën nëpër këto momente, me ndershmëri, me përkushtim dhe me besim te vetja. Dhe pikërisht në rrugën e gjatë të jetës, njeriu kupton se vështirësitë nuk janë gjithmonë vetëm prova, por shpesh edhe zbulime të karakterit të tij.
Të kalosh vështirësi nuk është thjesht një provë force, por një mënyrë e heshtur për të kuptuar se sa thellë shkon durimi i një njeriu dhe sa shumë mund të mbajë zemra pa u thyer, edhe kur gjithçka përreth duket sikur është ngritur për ta rrëzuar. Ka momente kur nuk je vetëm përballë jetës, por përballë njerëzve, dhe kjo është pjesa më e rëndë, sepse vështirësia shpesh do të kishte një zgjidhje më të thjeshtë po të ishte vetëm rrethanë, ndërsa sulmi i turmës vjen i mbështjellë me zili, ligësi dhe ndonjëherë me maskën e miqësisë së rreme. Janë ato zëra që nuk ndërtojnë, por gërryejnë,ato që nuk të kritikojnë për të të përmirësuar, por për të të zbehur,ato që nuk të shtyjnë përpara, por përpiqen të të kthejnë mbrapa. Dhe në këtë realitet, njeriu mëson ngadalë se jo çdo buzëqeshje është e pastër dhe jo çdo fjalë e ëmbël është e sinqertë. Mëson se disa njerëz nuk shqetësohen për rrugën tënde, por për dritën që ti mund të kesh më shumë se ata, dhe pikërisht kjo dritë bëhet arsyeja e sulmit, e shpifjes, e përpjekjes për të të bërë të dukesh më pak sesa je.
Por në të njëjtën kohë, këto janë edhe momentet kur karakteri forcohet pa zhurmë.
Kur mëson të mos replikosh me çdo zë, të mos shpenzosh energji me çdo hije dhe të mos e ulësh veten në nivelin e atyre që jetojnë duke tërhequr të tjerët poshtë. Sepse dinjiteti nuk mbahet duke fituar çdo betejë, por duke mos u bërë kurrë si ata që të sulmojnë. Dhe e vërteta, mbetet gjithmonë e thjeshtë, edhe pse nuk është gjithmonë e lehtë. Koha i zbulon njerëzit më mirë se çdo fjalë, dhe ajo që sot duket si padrejtësi apo sulm, nesër shndërrohet në provë të heshtur të forcës tënde. Sepse ata që ecin me ndershmëri, edhe kur rrethohen nga zhurma e zilisë dhe mashtrimit, nuk humbasin kurrë rrugën e tyre, ata thjesht mësojnë të ecin më të fortë dhe më krenarë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit