Ky libër i vjetër, i blerë nga im atë shumë vite më parë dhe i mbajtur për një kohë të gjatë në bibliotekën e tij të vjetër, nuk është thjesht një objekt i harruar mes rafteve, por një prani e heshtur që duket sikur ruan brenda vetes jo vetëm aromën e letrës së zverdhur, por edhe një mënyrë të të menduarit që sot duket më e largët, më e ngadaltë dhe më e thellë, sikur çdo faqe të ketë thithur një ritëm tjetër kohe, ku leximi nuk ishte kalim por besim. E gjeta rastësisht, në një nga ato çaste kur nuk kërkon asgjë të veçantë, por përfundon duke u ndalur përballë diçkaje që të thërret pa zë, dhe për një moment m’u duk sikur nuk po hapja vetëm një roman të vjetër, por po hapja një derë të vogël drejt një kohe tjetër, ku edhe mënyra e të lexuarit kishte një peshë më të gjatë dhe më të qetë, ku librat nuk zëvendësoheshin, por jetoheshin ngadalë. Që në faqet e para u përballa me një titull që nuk të lë të qetë.
“ Bija e mallkuar “ e Émile Rishërburg,një titull tronditës që në vetvete tingëllon si një gjykim i përfunduar përpara se të fillojë rrëfimi, sikur fjala “mallkim” të mos jetë më metaforë, por një vulë e rëndë që shoqëria ia vendos një jete njerëzore pa pritur as mbrojtjen e saj dhe as të vërtetën e saj. Dhe pikërisht këtu fillon forca e këtij libri,jo vetëm në historinë që tregon, por në mënyrën si ajo histori lind nën hijen e një etiketimi të padrejtë, ku një vajzë e pafajshme përballet me një botë që e ka vendosur më parë në rolin e të dënuarës, duke e kthyer fatin e saj në një udhëtim të gjatë mes keqkuptimeve, ndarjeve dhe gjykimeve që rëndojnë më shumë se vetë ngjarjet. Romani në thelb, tregon historinë e një vajze që rritet mes plagëve të së shkuarës së familjes së saj dhe paragjykimeve të shoqërisë, ku e vërteta nuk arrin kurrë të jetë më e fortë se thashethemi, dhe ku identiteti i saj formësohet jo nga ajo që është, por nga ajo që të tjerët besojnë se ajo përfaqëson, derisa vetë jeta e saj shndërrohet në një përpjekje të vazhdueshme për të mbijetuar mbi një emër që nuk e ka zgjedhur. Sa më shumë përparon rrëfimi, aq më shumë kupton se “mallkimi” nuk vjen nga një forcë e jashtme, por nga mënyra si njerëzit ndërtojnë gjykime të shpejta, si i japin një historie një fund përpara se ajo të jetë treguar plotësisht, dhe si e kthejnë një individ në simbol të një faji që shpesh nuk i përket atij. Në këtë kuptim, titulli nuk është thjesht tronditës por edhe i padrejtë, në mënyrën më njerëzore të mundshme, sepse të detyron të shohësh se sa lehtë shoqëria mund të vulosë një jetë me një fjalë të vetme, dhe sa e vështirë është më pas të fshish atë vulë edhe kur e vërteta përpiqet të dalë në dritë dhe ndoshta kjo është ajo që mbetet gjatë pas leximit. Një ndjesi e qetë por e rëndë, se ndonjëherë nuk janë fatet që i bëjnë njerëzit tragjikë, por mënyra si ne zgjedhim t’i emërtojmë fatet e tyre, duke harruar se pas çdo “mallkimi” të shpikur nga fjala, fshihet gjithmonë një histori që kërkon të dëgjohet deri në fund.
Ndaje
