Kur dashuronte Suani.

Ndaje

Kisha kohë që ndodhej në bibliotekën time e vendosur mes librave që shpesh i rishikoja më shumë me sy sesa me vëmendje të vërtetë, si diçka që nuk kërkonte urgjencë, por që gjithsesi nuk pranonte të mbetej e padukshme, dhe çdo herë që kalonte dora ime mbi raft, ndalesha për një çast të pavendosur përpara saj.”Kur dashuronte Suani “ i Marcel Proust nuk ishte nga ato libra që të thërrasin me zë të lartë përkundrazi, ai të pret në heshtje, duke e ditur se do të kthehesh vetë tek ai në një moment kur koha nuk të duket më lineare por e shtresuar, e ngadalshme, pothuajse e pezullt. E hapa pa një arsye të qartë, ndoshta nga një lloj kureshtjeje që nuk lidhet me nevojën për të lexuar, por me nevojën për të kujtuar, dhe shumë shpejt kuptova se nuk isha duke lexuar thjesht një histori dashurie, por një mënyrë të të menduarit mbi dashurinë, ku ndjenja nuk jeton në të tashmen, por në mënyrën si e deformon kujtesa dhe si e rikrijon imagjinata. Sa më shumë përparoja, aq më shumë më dukej se Suan nuk ishte një personazh i largët por një gjendje e njohur, një mënyrë e fshehtë si njeriu mund të jetojë një ndjenjë jo për atë që është, por për atë që mendon se mund të jetë, duke e kthyer dashurinë në një territor të paqëndrueshëm, ku siguria nuk ekziston dhe dyshimi bëhet ritëm i përditshëm.Dhe në një moment të caktuar, e kupton se ajo që Prusti bën nuk është thjesht rrëfim, por një lloj zbulimi i ngadaltë i mënyrës si ne të gjithë e përjetojmë realitetin emocional përmes filtrit të mendjes sonë, ku një gjest i vogël mund të zmadhohet deri në obsesion, dhe një heshtje mund të bëhet më e rëndë se çdo fjalë. E lashë librin hapur në një faqe, jo sepse e mbarova, por sepse ndjeva se ai nuk kërkon fund por kthim, një kthim të përsëritur në të njëjtin mendim, në të njëjtën ndjesi, në të njëjtën pyetje që nuk merr përgjigje të shpejtë.
Sa nga ajo që quajmë dashuri është realitet dhe sa është kujtim i transformuar nga ne vetë?Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ai libër nuk largohet nga biblioteka ime, sepse nuk është thjesht për t’u lexuar por për t’u rikthyer, sa herë që koha fillon të sillet më ngadalë se ndjenjat tona.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit