Ka qenë një nga ato libra që nuk e mbylla menjëherë pasi lexova faqen e fundit. E mbajta për pak çaste në duar, siç mban njeriu një bisedë të bukur që nuk dëshiron të marrë fund. Sepse “Krishti kryqëzohet përsëri” nuk është një roman që thjesht lexohet por që të shoqëron, të trazon, të ndjek në heshtje dhe të detyron të rikthehesh vazhdimisht tek vetja. Teksa ecja nëpër faqet e Niko Kazanxaqit, ndjeva se nuk po lexoja vetëm historinë e një fshati të largët grek dhe të njerëzve që përgatiten të luajnë dramën e pasionit. Ndjeva se po lexoja për ne, për kohën tonë, për dobësitë tona, për frikërat tona dhe për atë pjesë të shpirtit njerëzor që lëkundet vazhdimisht midis dhembshurisë dhe indiferencës. Më ka ndodhur shpesh që, kur lexoj një vepër të madhe, të admiroj mjeshtërinë e autorit. Por me Kazanxaqin ndodh diçka tjetër. Nuk arrin vetëm ta admirosh. Ai shkruan sikur i njeh plagët e njerëzve, sikur ka ecur pranë tyre, ka dëgjuar heshtjet e tyre, ka prekur dhimbjet e tyre dhe i ka kthyer ato në letërsi. Dhe sa më shumë e lexoja romanin, aq më tepër mendoja se Krishti i Kazanxaqit nuk banon në tempuj, nuk qëndron i largët mbi piedestale dhe as nuk është i mbështjellë me madhështi të paarritshme. Ai ecën mes njerëzve të zakonshëm. Është pranë atyre që kanë humbur shtëpinë, pranë atyre që nuk dëgjohen, pranë atyre që jetojnë në skajet e shoqërisë dhe që, në një mënyrë apo në një tjetër, vazhdojnë të mbajnë kryqin e tyre të përditshëm. Dhe pikërisht këtu romani bëhet i dhimbshëm për t’u lexuar sot. Sepse, ndonëse kanë kaluar dekada nga koha kur është shkruar, bota jonë nuk duket se është larguar shumë nga ajo që përshkruan Kazanxaqi. Kemi mësuar të jetojmë mes ekraneve, mes lajmeve që kalojnë me shpejtësinë e një prekjeje gishti, mes komoditetit dhe nxitimit, por shpesh kemi humbur aftësinë për të parë me të vërtetë tjetrin. Shohim vuajtjen, por e konsumojmë si informacion. Dëgjojmë për luftëra, për njerëz të zhvendosur, për padrejtësi, për vetmi, për fëmijë që rriten pa shpresë, dhe vazhdojmë jetën tonë, ndonjëherë me një ndjenjë të shkurtër trishtimi, për t’u kthyer menjëherë tek rutina. Ndoshta kjo është ajo që më tronditi më shumë në këtë vepër. Të kuptoja se Krishti vazhdon të kryqëzohet, jo vetëm në simbolikën e besimit, por në çdo kohë kur ne zgjedhim të mos shohim, të mos flasim, të mos reagojmë. Vazhdon të kryqëzohet sa herë që frika është më e fortë se drejtësia, sa herë që rehatia personale fiton mbi solidaritetin dhe sa herë që heshtja jonë bëhet bashkëfajtore me padrejtësinë. Por përtej gjithë kësaj dhimbjeje, romani mbart edhe një dritë të qetë, thuajse të padukshme, por këmbëngulëse. Një besim se njeriu, pavarësisht gjithçkaje, mund të zgjedhë të mbetet njeri. Se ende mund të ketë vend për dhembshuri, për sakrificë, për dashuri dhe për guxim. E lexova këtë roman edhe me mirënjohjen e një lexuese që ka fatin ta shijojë në shqip falë përkthimit të mrekullueshëm të Harrallamb Qeskos. Ka përkthyes që të sjellin një tekst dhe ka përkthyes që të sjellin një botë të tërë. Qesko i përket atyre që e njohin peshën e fjalës dhe dinë ta ruajnë frymën e saj. Në shqipen e tij, Kazanxaqi tingëllon i afërt, i ngrohtë, i fuqishëm dhe njerëzor, sikur të ishte shkruar për ne, për shqetësimet tona dhe për kohën tonë. Mbase kjo është arsyeja pse “Krishti kryqëzohet përsëri” mbetet një nga ato libra që nuk i vendos dot thjesht në bibliotekë. Ato vazhdojnë të qëndrojnë diku brenda teje, si një pyetje e hapur, si një kujtesë e heshtur se, përpara se të jemi qytetarë, profesionistë, besimtarë apo spektatorë të botës, jemi thjesht njerëz. Dhe ndoshta detyra më e vështirë e jetës sonë është pikërisht kjo. Të mos harrojmë kurrë të jemi të tillë.
