Një pasdite të zakonshme, teksa ecje pa ndonjë qëllim të veçantë përgjatë vitrinave të qytetit, syri të mbeti tek një palë këpucë që të ndalën hapin. Ishin nga ato që të rrëmbejnë menjëherë vëmendjen, jo sepse të duhen, por sepse të magjepsin. Kishin elegancën e sendeve që duken sikur janë krijuar për të qenë të dëshiruara. Ishin të bukura, të rafinuara dhe të veçanta, aq sa për disa çaste nuk arrije të shihje asgjë tjetër.Hyre brenda dyqanit me atë entuziazmin e vogël që të falin gjërat e papritura dhe pyete menjëherë për numrin tënd. Shitësi kërkoi, kontrolloi dhe në fund tundi kokën. Nuk e kishin. Kishte vetëm një numër më të vogël.Për një çast hezitove. Duhej të largoheshe. Ishte gjëja më logjike. Por ka raste kur dëshira flet më fort se arsyeja. Kështu i provove. Të shtrëngonin pak. Jo aq sa të mos i vishje fare. Jo aq sa të të bindnin të hiqje dorë menjëherë. Vetëm aq sa të të linin një shqetësim të vogël, të cilin ti e mbulove me shpresën se ndoshta, me kalimin e kohës, do të zhdukej. Kur u pe në pasqyrë, çdo dyshim u tret. Të dukeshin perfekte. Dukej sikur ishin krijuar posaçërisht për ty. Dhe siç ndodh shpesh me gjërat që na verbon bukuria e tyre, vendose të mos dëgjoje atë zërin e vogël brenda vetes që të pëshpëriste se diçka nuk shkonte. I bleve. Ditën e parë i veshe me krenari. Në fund të mbrëmjes këmbët të ishin lodhur pak, por e quajte një çmim të vogël për t’u paguar. Ditën e dytë dhimbja u bë më e dukshme. Pas një jave, gishtat filluan të ankoheshin seriozisht. Pas disa javësh, çdo hap kërkonte durim. Por ti vazhdoje t’i vishje. Sepse ishin të bukura. Sepse i doje. Sepse tashmë kishe investuar tek ato jo vetëm para, por edhe ndjenja, pritshmëri dhe një pjesë të vogël të krenarisë tënde. Dhe sa më shumë të dhembnin, aq më shumë përpiqeshe të bindje veten se ia vlente. Vendose leukoplastë mbi plagë. Ndryshove mënyrën e ecjes. U përpoqe t’i vishje vetëm në raste të veçanta. Kërkove çdo zgjidhje të mundshme, përveç asaj më të thjeshtëas, të pranoje se ato këpucë nuk ishin numri yt. Sepse pranimi ndonjëherë dhemb më shumë sesa vetë plagët. Derisa erdhi dita kur këmbët e tua, të lodhura nga kompromiset, nuk pranuan më të heshtnin. Ishte ajo ditë kur kuptove se e gjithë beteja që kishe zhvilluar nuk kishte qenë me këpucët, por me të vërtetën. Dhe e vërteta ishte e thjeshtë, e qartë dhe e pamëshirshme. Që nga dita e parë ato nuk ishin bërë për ty. Ti thjesht kishe dashur me gjithë zemër që të ishin. Kishe besuar se koha do t’i ndryshonte. Se dashuria do t’i zgjeronte. Se durimi do ta zhdukte dhimbjen. Se mjaftonte t’i doje fort dhe ato do të përshtateshin me ty. Por ka gjëra në jetë që nuk ndryshojnë, pavarësisht sa shumë i dëshirojmë. Dhe atëherë mbetesh përballë dy zgjedhjeve. Të vazhdosh t’i mbash në dollap si një kujtim të bukur, duke gënjyer veten se një ditë do të mund t’i veshësh përsëri. Ose t’i falënderosh për emocionin që të dhuruan, për ëndrrën që të zgjuan, për mësimin që të lanë, dhe pastaj t’i lësh të ikin. Sepse ndonjëherë pjekuria nuk qëndron tek aftësia për të mbajtur dicka fort, por tek guximi për të lëshuar. Dhe pikërisht këtu kjo histori pushon së qeni histori këpucësh. Sepse në të vërtetë nuk ka folur kurrë për këpucë. Ka folur për njerëzit që hyjnë në jetën tonë dhe që na magjepsin që në shikimin e parë. Për dashuritë që duken të përsosura në pasqyrën e dëshirës sonë, por që na shtrëngojnë shpirtin sa herë përpiqemi t’i jetojmë. Për marrëdhëniet ku vazhdojmë të qëndrojmë jo sepse jemi të lumtur, por sepse nuk duam të pranojmë se kemi gabuar. Dhe ndoshta mësimi më i vështirë i jetës është ky: jo çdo gjë që është e bukur është bërë për ne. Jo çdo gjë që duam është e destinuar të na përkasë. Jo çdo dashuri, sado magjepsëse të jetë, është shtëpia jonë. Sepse ndonjëherë është më mirë të ecësh zbathur për një kohë, sesa të kalosh gjithë jetën me këmbë të plagosura nga një palë këpucë që nuk kanë qenë kurrë numri yt.
