Ditari i hipokrizisë

Ndaje

Ka ditë kur realiteti nuk ka nevojë për shpjegim e mjafton ta dëgjosh. Flet vetë, në mënyrën më të qetë dhe më të pakëndshme. E shoh çdo mëngjes në fytyrat që përshëndesin me buzëqeshje të matur, në fjalët që peshohen me kujdes, në mirësjelljet që ndonjëherë duken më shumë si maska sesa si ndjenja dhe e kuptoj se jetojmë në një kohë ku sinqeriteti është bërë i rrezikshëm, ndërsa hipokrizia një gjuhë e përbashkët që të gjithë e flasim pa e pranuar.“Ditari i hipokrizisë” nuk është një libër që dikush e shkruan me dorë por një libër që shkruhet çdo ditë, pa autor dhe me shumë bashke autorë. E shkruajnë institucionet, kur thonë një gjë dhe bëjnë një tjetër. E shkruajnë marrëdhëniet kur mbajnë gjallë buzëqeshje që nuk ndihen më. E shkruajmë të gjithë, në një formë apo në një tjetër, sa herë zgjedhim të heshtim për të mos prishur qetësinë e rreme. Realiteti i sotëm nuk është i mungesës së fjalëve por i teprisë, e në këtë rrjedhë të zhurmshme, e vërteta nuk humbet por thjesht bëhet më e vështirë për t’u dalluar, si një zë i ulët në një dhomë të mbushur me jehonë. Hipokrizia sot nuk vjen gjithmonë si mashtrim i madh, por si detaj i vogël. Në një “jam mirë” që nuk është i vërtetë, në një “do shihemi” që nuk ka ndërmend të ndodhë, në një “më vjen keq” që nuk e prek asnjë faj e kështu, pak nga pak, mësohemi me një realitet ku e sinqerta duket e tepërt dhe e vërteta e papërshtatshme. Por ndoshta më e rënda nuk është se hipokrizia ekziston, por fakti që e kemi normalizuar. E kemi bërë pjesë të sjelljes së përditshme, si një rregull të pashkruar të mbijetesës sociale. Dhe kur diçka bëhet e zakonshme, ajo pushon së na shqetësuari. Megjithatë, edhe në këtë ditar të padukshëm, ka çarje. Ka momente kur dikush flet pa filtra, kur dikush zgjedh të jetë i vërtetë edhe pse nuk i leverdis, kur një fjalë e thënë drejt e thyen për një çast këtë kore të hollë hipokrizie e ndoshta aty, në ato çaste të vogla, ende ruhet shpresa se realiteti nuk është i shkruar përfundimisht. Sepse çdo ditar, sado i errët, mund të rishkruhet.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit