E mbylla librin Shqipëria, ankthi dhe ëndrra të Amik Kasoruho dhe për disa minuta nuk bëra asgjë. Qëndrova në heshtje, me atë ndjesinë e çuditshme që të lënë disa libra kur nuk të tregojnë thjesht histori por të detyrojnë të ecësh nëpër korridoret më të errëta të memories sonë kolektive. Dhe s’e di pse, por gjithmonë më ka habitur fakti sesi ne, njerëzit e këtij vendi, vazhdojmë të kemi një kureshtje pothuajse të dhimbshme për atë periudhë gjysmë shekullore ankthi, frike dhe heshtjeje që quhej jetë e përditshme. Ndoshta sepse diktatura, edhe kur largohet politikisht, mbetet gjatë emocionalisht. Ajo ikën nga institucionet më shpejt sesa nga mendja e njerëzve dhe ne vazhdojmë të kthehemi tek ajo periudhë jo nga nostalgjia siç përpiqen ta interpretojnë disa,por sepse ende nuk kemi arritur ta kuptojmë plotësisht se çfarë na bëri si shoqëri. Ka diçka të frikshme në mënyrën sesi një regjim mund të futet ngadalë në psikologjinë e një populli, jo vetëm përmes dhunës, por përmes normalizimit të frikës sepse diktatura nuk kërkonte vetëm bindje por heshtje të brendshme. Kërkonte që njerëzit të mësoheshin të mendonin me kujdes, të flisnin me frikë, të besonin pak dhe të dyshonin shumë dhe kur lexon Kasoruhon, e kupton se ankthi më i madh nuk ishte burgu. Ishte pritja e përhershme e diçkaje që mund të ndodhte. Trokitja në derë. Një fjalë e gabuar. Një sy që të ndiqte. Një mik që nuk dije më nëse ishte ende mik dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ajo periudhë vazhdon të na tërheqë si një plagë që nuk resht së fërkuari sepse ishte një kohë ku njerëzit jetonin mes dy botëve,asaj që thoshin dhe asaj që mendonin. Libri i Kasoruhos nuk të jep luksin e distancës. Nuk të lejon të lexosh si spektator neutral, sepse aty brenda nuk ka vetëm histori politike,ka frymëmarrje njerëzore, ka ankth familjesh, ka ëndrra të shtypura, ka njerëz që u plakën duke pritur një liri që dukej gjithmonë pak më larg se dita e sotme. Dhe sa më shumë lexoja, aq më tepër kuptoja se diktaturat nuk maten vetëm me vitet që zgjasin, por me hijet që lënë pas. Më ka ndodhur shpesh të dëgjoj njerëz që thonë se duhet “ta lëmë pas” atë periudhë.
Por si lihet pas një kohë që ka hyrë në mënyrën si kemi mësuar të heshtim, të kemi frikë nga shteti, të mos i besojmë plotësisht njëri-tjetrit? Historia nuk është një derë që e mbyll kur lodhesh prej saj. Historia është një dhomë ku, edhe kur fik dritën, objektet vazhdojnë të jenë aty.Dhe megjithatë, në gjithë atë errësirë që përshkon librin, fjala “ëndërr” në titull më dukej pjesa më tronditëse. Sepse shqiptarët, edhe në periudhat më të zymta, nuk pushuan së ëndërruari. Ndoshta në heshtje, ndoshta fshehurazi, ndoshta vetëm brenda vetes. Por ëndrra për një jetë normale, për një frymëmarrje pa frikë, për të drejtën për të qenë njeri pa leje nga shteti, mbeti gjallë.Dhe ndoshta kjo është ajo që më mbetet më shumë pas këtij libri,ideja se një popull mund të jetojë gjatë nën ankth, por nuk resht kurrë së kërkuari dritën.
Ndaje
