Braktisja e heshtur e një brezi

Ndaje

Ka një dhimbje që nuk bën zhurmë, nuk del në protesta dhe nuk shkruhet gjithmonë në statistika, por që ndihet çdo ditë në rrugët që po zbrazen, në klasat me më pak studentë, në shtëpitë ku dritat ndizen gjithnjë e më rrallë. Eshtë largimi i heshtur i një brezi të tërë, që po ikën jo sepse nuk e do vendin e vet, por sepse nuk arrin më të ndërtojë jetën brenda tij. Të rinjtë e sotëm nuk po kërkojnë mrekulli. Ata nuk po largohen për luks apo aventurë, por për diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më njerëzore,siguri, dinjitet, mundësi dhe besimin se e nesërmja mund të jetë më e mirë se e sotmja. Dhe kur një vend nuk arrin t’ua japë këtë ndjesi, ikja nis të duket jo si zgjedhje por si shpëtim. Më parë, emigrimi lidhej kryesisht me varfërinë ekonomike,sot ai lidhet gjithnjë e më shumë me varfërinë e shpresës sepse njeriu mund të përballojë vështirësi, por e ka shumë më të vështirë të jetojë në një realitet ku ndien se përpjekja nuk shpërblehet, se talenti mbetet në hije dhe se ëndrrat konsumohen ngadalë nga pritja dhe pasiguria. Kjo është arsyeja pse po largohen më të mirët,studentët e shkëlqyer, profesionistët e rinj, njerëzit me energji, me ide dhe me dëshirë për të ndërtuar. Një komb nuk dobësohet vetëm kur humbet ekonominë por kur humbet njerëzit që mbajnë mbi supe të ardhmen e tij.Dhe ndërsa avionët mbushen çdo ditë me ikje, vendi mbushet me heshtje. Prindër që mësohen të përqafojnë fëmijët përmes ekraneve, gjyshër që rriten me mallin e nipërve larg, miqësi që mbeten pezull në telefonata të rralla dhe qytete që, dalëngadalë, humbasin gjallërinë e tyre.Ka diçka tragjikisht moderne në këtë lloj largimi,njerëzit nuk po ikin sepse nuk kanë rrënjë, por sepse rrënjët e tyre nuk po arrijnë më t’i mbajnë dhe ndoshta kjo është drama më e madhe e kohës sonë ,fakti që një brez i tërë po mëson të ndërtojë jetën larg vendit ku lindi, ndërsa vendi që lë pas mësohet pak nga pak me mungesën e tyre.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit