A matet vërtet dija me katër provime?

Ndaje

Çdo qershor, mijëra maturantë ulen përballë katër testeve që, teorikisht, duhet të përcaktojnë të ardhmen e tyre akademike. Por pyetja që më lind cdo vit është e thjeshtë.
A mund të matet puna e dymbëdhjetë viteve shkollë me vetëm katër provime? Personalisht nuk jam kundër vlerësimit, përkundrazi, besoj se një sistem arsimor serioz duhet të ketë mekanizma për të testuar njohuritë e nxënësve por ama , jam kundër mënyrës se si funksionon sot Matura Shtetërore. Katër provime të standardizuara nuk arrijnë të pasqyrojnë aftësitë, talentet dhe prirjet e ndryshme të të rinjve. Një nxënës që synon të studiojë mjekësi nuk ka të njëjtat nevoja akademike me një nxënës që dëshiron të ndjekë letërsinë, gazetarinë, inxhinierinë apo artet, e megjithatë të gjithë kalojnë në të njëjtën filtër. Do të preferoja një model ku universitetet të kishin një rol më të madh në përzgjedhjen e studentëve. Fakultetet duhet të organizojnë provimet e tyre pranuese, të fokusuara te lëndët që kanë vërtet rëndësi për profilin përkatës. Në këtë mënyrë, pesha e lëndës me zgjedhje do të ishte shumë më e madhe dhe studenti do të vlerësohej për atë që dëshiron të bëhet, jo për atë që sistemi i kërkon të dijë në mënyrë uniforme. Një tjetër pikë që ngre diskutim është provimi i gjuhës angleze. Në praktikë, ai shpesh kthehet në një formalitet burokratik që nuk arrin të masë realisht kompetencat gjuhësore të nxënësve. Një gjuhë e huaj nuk mund të vlerësohet plotësisht vetëm me teste standarde,aftësia për të komunikuar, për të shkruar dhe për të kuptuar gjuhën është shumë më komplekse sesa përgjigjet me alternativa. Nëse do të duhej të ruhej një provim kombëtar, do të isha dakord me Gjuhën Shqipe, jo vetëm si lëndë, por si një mjet për të mbrojtur drejtshkrimin, shprehjen e saktë dhe kulturën bazë gjuhësore të çdo qytetari. Të shkruarit dhe të folurit korrekt janë aftësi themelore që duhen ruajtur e megjithatë, nuk jam e bindur se dhjetëra vepra letrare të memorizuara dhe analiza të pafundme autorësh janë mënyra më e mirë për të matur kulturën e një të riu. Letërsia duhet të zgjojë mendimin, imagjinatën dhe dashurinë për leximin, jo të shndërrohet në një listë datash, titujsh dhe interpretimesh të detyruara. Arsimi ka nevojë për më shumë liri zgjedhjeje dhe më pak uniformitet. Të rinjtë nuk janë të gjithë njësoj dhe as ëndrrat e tyre nuk janë të njëjta, prandaj edhe rruga drejt universitetit nuk duhet të kalojë domosdoshmërisht nga i njëjti test për të gjithë. Per kete mendoj se qëllimi i shkollës nuk duhet të jetë prodhimi i rezultateve identike, por zbulimi dhe zhvillimi i talenteve të ndryshme që çdo i ri mbart brenda vetes.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit