A beson te karma?

Ndaje

Është një nga ato pyetje që duket e thjeshtë në pamje të parë, por që mbart brenda vetes një univers të tërë dyshimesh, përvojash dhe reflektimesh. Disa e konsiderojnë një besim të lashtë, të tjerë një mënyrë poetike për të shpjeguar drejtësinë e jetës megjothatë edhe ata që nuk besojnë tek karma, shpesh kanë ndaluar për një çast përballë një ngjarjeje që i ka bërë të mendojnë se ndoshta ekziston një ekuilibër i padukshëm që vendos gjërat në vendin e tyre. Jeta është e mbushur me histori njerëzore që kanë lënduar, mashtruar apo shkelur mbi të tjerët për të arritur qëllimet e tyre, duke menduar se fitorja është e përhershme dhe se koha do t’i mbulojë gjurmët e tyre. Por koha ka një zakon të çuditshëm. Ajo nuk harron. Ajo ecën ngadalë, pa zhurmë, pa paralajmërime dhe pa spektakël, por shpesh arrin aty ku nuk mbërrijnë as zemërimi, as hakmarrja dhe as dëshira për drejtësi e atyre që janë lënduar. Filozofia e karmës nuk premton mrekulli dhe as nuk ushqehet me dëshirën për të parë dikë të rrëzohet. Në thelb, ajo është një ftesë për të kuptuar se çdo mendim, çdo fjalë dhe çdo veprim ka peshën e vet në universin e vogël që ndërtojmë çdo ditë. Asgjë nuk humbet plotësisht. Mirësia lë gjurmë po ashtu edhe ligësia. Dhe shpesh, pasojat nuk vijnë si dënime të bujshme, por si heshtje, vetmi, zbrazëti apo mungesë paqeje me vetveten.Pikërisht mbi këtë ide ndërtohen edhe dymbëdhjetë ligjet e karmës, të cilat nuk janë formula mistike apo parashikime të fatit, por mësime të vjetra mbi natyrën njerëzore dhe marrëdhënien tonë me botën. Karma flet për të tashmen si të vetmin vend ku mund të veprojmë, për ndryshimin si një proces që përsëritet derisa të mësojmë mësimin e duhur dhe për durimin si një virtyt pa të cilin asgjë me vlerë nuk mund të ndërtohet. Ndoshta ligji më i bukur i karmës është ai që flet për rëndësinë e çdo veprimi, sado i vogël të duket. Një fjalë e mirë, një dorë e shtrirë në kohën e duhur, një gjest mirëkuptimi apo një veprim fisnik mund të kenë ndikim shumë më të madh sesa e imagjinojmë. Po kështu, edhe një padrejtësi e vogël, një fyerje apo një mashtrim lë pas një gjurmë që nuk zhduket lehtë. E në një kohë kur gjithçka duket se matet me shpejtësi, fitore të menjëhershme dhe sukses të dukshëm, karma na kujton një të vërtetë të thjeshtë se jo gjithçka që ka vlerë shihet menjëherë. Ka fitore që duken humbje dhe humbje që, me kalimin e kohës, shndërrohen në mësimet më të vlefshme të jetës. Për këtë arsye, njerëzit e urtë nuk e shpenzojnë jetën duke pritur ndëshkimin e atyre që i kanë lënduar. Ata e dinë se energjia më e çmuar nuk është ajo që harxhohet në hakmarrje, por ajo që investohet në ecjen përpara. E dinë se plagët shërohen më shpejt kur nuk ushqehen me urrejtje dhe se qetësia e shpirtit vlen më shumë se çdo triumf i përkohshëm mbi dikë tjetër. Ndoshta përgjigjja nuk gjendet në libra, në filozofi apo në besime të lashta. Ndoshta ajo fshihet në mënyrën se si jetojmë, në gjurmët që lëmë pas nesh dhe në kujdesin me të cilin prekim jetën e të tjerëve. Sepse njeriu nuk mbahet mend për atë që mori nga kjo botë, por për atë që la pas dhe ndoshta kjo është arsyeja pse karma vazhdon të mbetet një nga idetë më të fuqishme që ka shoqëruar njerëzimin ndër shekuj. Aspak si kërcënim, por si kujtesë se çdo veprim ka një jehonë që shkon përtej çastit kur kryhet. Sepse, nëse ka një ligj që askush nuk e shmang dot, ai është ky. Jeta ka kujtesë dhe herët a vonë, ajo na kthen atë që kemi lënë pas.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit