LETRA E SË DIELËS

Ndaje

Të dashur prindër,

A e keni vënë re se sa shpejt një telefon mund të kthehet nga një pajisje që ia japim fëmijës për pak minuta, në një shoqërues që e ndjek gjatë gjithë ditës, që e qetëson kur mërzitet, e argëton kur lodhet, e mban të heshtur kur ne kemi nevojë për pak qetësi dhe, pa e kuptuar mirë se kur ndodhi kjo, fillon të zërë vendin e bisedave, lojërave, librave, shëtitjeve dhe madje edhe të mërzisë së bukur të fëmijërisë? Ndoshta shumë prej nesh e kemi bërë këtë pa ndonjë qëllim të keq. Jemi prindër të lodhur, kemi punët tona, përgjegjësitë tona, telefonatat që presin përgjigje, shtëpinë që duhet rregulluar, ushqimin që duhet përgatitur dhe një mijë gjëra të tjera që duhen bërë brenda një dite, ndaj ndonjëherë është shumë e lehtë t’i themi fëmijës: “Merr telefonin dhe shiko pak”, sepse ato pak minuta qetësi na duken të pafajshme dhe, në të vërtetë, janë të tilla kur mbeten vetëm pak minuta. Por çfarë ndodh kur ato pak minuta bëhen një orë, pastaj dy, pastaj një zakon i përditshëm dhe, më në fund, një nevojë pa të cilën fëmija nuk di më të qëndrojë? Dikur, kur një fëmijë mërzitej dhe mërzia ishte fillimi i një aventure. Dilnin jashtë, thërrisnin shokët, luanin me një top,kacavireshin nëpër pemë, shpiknin lojëra me sende që për ne të rriturit mund të dukeshin krejt të zakonshme, ziheshin për pak dhe pajtoheshin përsëri, ktheheshin në shtëpi me gjunjët e gërvishtur dhe rrobat e pluhurosura dhe, para se të binin për të fjetur, kishin një histori të tërë për të treguar. Sot, mjafton një gisht mbi ekran dhe bota vjen tek ata. Një video pas tjetrës, një lojë pas tjetrës, një personazh pas tjetrit, një zë, një këngë, një ngjyrë, një njoftim dhe përsëri një video tjetër, në një rrjedhë që duket sikur nuk ka fund dhe që e mëson fëmijën me një ritëm ku gjithçka duhet të ndodhë shpejt, të jetë interesante dhe të ndryshojë menjëherë. Dhe këtu nuk dua të them se teknologjia është armiku. Aspak.As telefoni, as interneti dhe as rrjetet sociale nuk janë domosdoshmërisht të këqija, sepse teknologjia mund t’i mësojë fëmijës gjëra të mrekullueshme, mund t’i hapë dyer drejt dijes, gjuhëve, shkencës, artit dhe botës dhe mund të bëhet një mjet i jashtëzakonshëm kur përdoret me masë, me qëllim dhe me praninë e të rriturit. Problemi është mungesa e kufirit. Dhe ndoshta pyetja që duhet t’i bëjmë vetes si prindër nuk është vetëm sa orë qëndron fëmija përpara ekranit, por sa orë kemi kaluar ne me të pa pasur një ekran mes nesh. Sa herë kemi ngrënë bashkë rreth trapezarise se madhe, ndërsa telefoni ka qëndruar mbi tavolinë? Sa herë fëmija na ka treguar diçka dhe ne i kemi thënë “prit pak”, sepse po mbaronim një mesazh? Sa herë i kemi kërkuar të mos përdorë telefonin, ndërsa vetë nuk kemi mundur të shkëputemi prej tij? Fëmijët nuk mësojnë vetëm nga këshillat që u japim. Ata mësojnë duke na parë. Dhe ndoshta kjo është pjesa më e vështirë për t’u pranuar. Ne u themi fëmijëve: “Lëre telefonin dhe më fol”, por ndoshta duhet të fillojmë duke e lënë edhe ne telefonin dhe duke u ulur përballë tyre. Sepse një fëmijë nuk ka gjithmonë nevojë për një lodër të re. Ndonjëherë ka nevojë vetëm për një prind që ta dëgjojë. Ka nevojë për një shëtitje pa destinacion, për një bisedë që nuk ka orar, për një libër të lexuar bashkë, për një lojë që nuk ka rregulla të përcaktuara, për një pyetje që nuk kërkon përgjigje të menjëhershme dhe po, edhe për pak mërzi. Sepse mërzia nuk është gjithmonë armike por vendi ku lind imagjinata. Kur fëmija nuk ka asgjë të gatshme për të parë, fillon të krijojë diçka për të bërë; kur nuk ka një video që i tregon se çfarë duhet të mendojë, fillon të shpikë vetë një histori; kur nuk ka një lojë që i dikton rregullat, fillon t’i krijojë ato. Dhe kjo është një pjesë e fëmijërisë që nuk duhet t’ua dorëzojmë plotësisht ekraneve. Ndoshta, një ditë, këta fëmijë do të jenë të rritur dhe do të kenë telefonat më të avancuar, teknologjinë më të zhvilluar dhe një botë edhe më të lidhur se kjo e jona. Por çfarë do të kujtojnë nga fëmijëria e tyre? Videot që panë? Lojërat që fituan? Apo pasditet kur luanin jashtë, zërin e nënës që i thërriste nga ballkoni, shokun që i priste te porta, gjyshen që u tregonte histori, babanë që i merrte për dore dhe ato mbrëmje të gjata kur familja mblidhej rreth një tavoline dhe askush nuk kishte nevojë të kontrollonte telefonin? Ndoshta kjo është arsyeja pse, këtë të diel, nuk dua t’u them prindërve: “hiqni telefonin fëmijëve.” Dua t’u them diçka më të vështirë: Jepuni fëmijëve më shumë nga vetja juaj. Sepse kur një fëmijë kërkon ekranin, ndonjëherë kërkon argëtim, ndonjëherë kërkon arratisje, por ndonjëherë, pa ditur ta shpjegojë, kërkon thjesht diçka që ta mbajë të zënë. Dhe ndoshta dhurata më e madhe që mund t’i bëjmë nuk është një telefon më i mirë, një tabletë më e shtrenjtë apo një lojë e re, por një pasdite ku telefoni lihet mënjanë dhe ne i themi:

“eja , të dalim pak. Çfarë do të bëjmë sot?” Sepse fëmijëria është një kohë që nuk ruhet në arkiven digjitale, nuk shkarkohet dhe nuk kthehet me një klikim. Ajo jeton vetëm një herë. Dhe kur të kalojë, asnjë ekran në botë nuk do të na e sjellë më pas.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit