Së pari, dua të falënderoj Forumin e Nartës që ripublikoi shkrimin tim, një shkrim i botuar në vitin 2025, kur Narta përballej me mungesën e ujit. Qëllimi i tij ishte një apel publik drejtuar institucioneve, që një problem jetik të mos kalonte në heshtje. Ajo që më trishtoi nuk ishte ripublikimi i shkrimit, por mënyra se si disa prej jush zgjodhën të reagojnë. Në vend që të diskutonit problemin e ujit, u morët me origjinën time, me etiketime, fyerje dhe denigrim. Është gjithmonë më e lehtë të sulmosh njeriun sesa të përballesh me të vërtetën që ai ngre. Jam krenare për çdo rrënjë që kam. Jam krenare që jam nga Narta, nga Poliçani i Gjirokastrës dhe po aq krenare për rrënjët e mia në Pilurin e Himarës. Origjina nuk është një akuzë por një pasuri. Ajo nuk më ndan nga askush, përkundrazi, më ka mësuar të respektoj çdo komunitet dhe çdo njeri. Për më shumë se dy dekada në gazetari kam shkruar për problemet e qytetarëve, pa pyetur kurrë se cilës krahinë, besimi apo prejardhjeje i përkasin.
Kam ngritur zërin për padrejtësitë kudo që i kam parë dhe do të vazhdoj ta bëj, sepse ky është misioni i gazetarit. Më vjen sinqerisht keq që mes komenteve denigruese pashë edhe njerëz që ushtrojnë profesionin e mësuesit.
Fëmijët tanë meritojnë shembuj më të mirë. Po aq keqardhje ndiej edhe për disa zonja, të cilat zgjodhën të përdorin një gjuhë denigruese. Fjalët që përdorim janë pasqyra e kulturës sonë. Po Përse ende paragjykojmë njëri-tjetrin për shkak të origjinës? Pse një debat për një problem publik si mungesa e ujit duhet të përfundojë në etiketime që lidhen me prejardhjen? Shqipëria është ndërtuar nga njerëz me rrënjë të ndryshme, por me të njëjtin dinjitet qytetar. Për ju që më fyet, nuk kam zemërim.
Kam vetëm keqardhje. Keqardhje që zgjodhët fyerjen në vend të argumentit dhe paragjykimin në vend të dialogut. Ju ftoj të hiqni dorë nga gjuha fyese dhe denigruese. Ajo nuk ju nderon, nuk ju bën më të fortë dhe nuk e zgjidh asnjë problem. Një shoqëri e shëndetshme ndërtohet me respekt, me fjalë të matura dhe me kurajon për të diskutuar edhe kur nuk biem dakord. Ndërsa unë do të vazhdoj të bëj atë që kam bërë gjithmonë. Do të ngre zërin për çdo problem që prek qytetarët, pa parë emra, mbiemra, origjinë apo bindje.
Sepse e vërteta nuk ka kombësi, ndërgjegjja nuk ka kufij dhe gazetaria nuk i shërben paragjykimeve, por interesit publik.
Ndaje
