Simboli i kohës sonë të përbashkët

Ndaje

Ekzistojne ne memorien e jetes dhurata që mbahen mend jo për vlerën e tyre materiale, por për dorën që i ka zgjedhur dhe zemrën që i ka dhuruar. Kjo është një prej tyre , nje dhurate e çmuar jo sepse është e shtrenjtë apo e rrallë, por sepse vjen nga zemrat e vogla që kam pasur fatin t’i shoqëroj çdo ditë. Kur e mora në duar , nuk pashë thjesht një orëmatës me rërë në formë tetëshi por kohën që kam kaluar bashkë me këta fëmijë, vit pas viti, orë pas ore, të ndara në klasë, në biseda të shkurtra në korridor, në momente të vogla që dukeshin të parëndësishme atëherë, por që tani, kur i shoh të gjitha së bashku, peshojnë aq shumë sa nuk kam fjalë t’i përshkruaj. Mbaj mend mëngjeset kur hyja në klasë dhe shihja fytyrat e tyre — disa të përgjumura, disa plot energji, disa me pyetje në sy përpara se t’i shprehnin me zë. Mbaj mend momentet kur dikush kishte nevojë vetëm për një fjalë të mirë. Mbaj mend gëzimet e vogla, një provim i kaluar mirë, një lojë në oborr, një festë klase por edhe vështirësitë, sepse edhe ato bënin pjesë në atë udhëtim që quhet “të qenit kujdestare”. Forma e infinitit të këtij orëmatësi nuk mund të ishte më e përshtatshme për të përfaqësuar gjithë këtë. Sepse ajo çfarë ndërtova me këta nxënës nuk matet me minuta apo orë mësimi por me diçka që vazhdon të rrjedhë, ashtu si rëra në atë xham, pa fund, pa u ndalur kurrë vërtet. Është kujdesi që tregova për ta si kujdestare e tyre, është durimi, është dëshira që secili prej tyre të gjente rrugën e vet, dhe është dashuria që ata ma kthyen mbrapsht, shumëfish më të madhe se sa e prisja apo e meritoja. Nuk është vetëm një send dekorativ mbi tavolinën time tani. Është një kujtesë e heshtur, por e fuqishme, se puna e një mësueseje nuk mbaron kurrë në momentin kur bie zilja e fundit e vitit shkollor. Ajo vazhdon të jetojë në çdo nxënës që ka kaluar nëpër duart e mia, në vlerat që u mësova, në fjalët e mira që u thashë kur kishin nevojë, në besimin që u tregova se ata ishin të aftë për më shumë se sa ndoshta vetë e besonin. Çdo herë që ta kthej këtë orëmatës dhe të shoh rërën duke rrjedhur nga njëra anë në tjetrën, pa u ndalur, pa u shterur, do të kujtoj se koha jonë bashkë, edhe pse dita do të vijë kur do të ndahemi fizikisht, nuk shuhet kurrë me të vërtetë. Ndryshon formë, kalon nga një kapitull në tjetrin të jetës sonë, por vazhdon të ekzistojë, në kujtimet që mbajmë, në mësimet që u dhashë, në njerëzit e mirë që ata do të bëhen ndërsa rriten larg meje. Faleminderit, nxënës të mi të dashur, për këtë dhuratë që flet më shumë se sa fjalët e thëna. E kuptoj mesazhin që keni dashur të më jepni, se ajo çka ndërtuam bashkë s’ka fund, ashtu si vetë simboli i infinitit që mban kjo dhuratë e vogël, por kaq e madhe në zemër. Do ta ruaj gjithmonë, jo si një objekt të thjeshtë mbi raft, por si dëshmi e një kohe që, edhe pse do të kalojë, do të mbetet pjesë e përjetshme e historisë sime si mësuese dhe si njeri.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit