Krishti im, nuk është vetëm një emër që dëgjoj në kishë a lexoj në një libër të vjetër. Është prania që ndjej kur zemra imë mbetet e heshtur, kur fjalët s’më dalin, por diçka brenda më thotë se s’jam vetëm. Krishti im është ai që qëndron pranë kur bota përreth bëhet e rëndë, kur ditët duken si male që s’kanë majë. Nuk vjen me zhurmë, nuk vjen për të më gjykuar, vjen si dorë e heshtur mbi supin tim, si dritë e vogël në një dhomë të errët, duke më kujtuar se edhe në errësirën më të thellë, s’jam braktisur. Krishti im di t’i mbajë lotët e mi pa më kërkuar t’i shpjegoj. Di ta kthejë dobësinë time në forcë, frikën time në besim, e vetminë time në një bisedë të heshtur ku unë flas dhe Ai dëgjon, edhe kur s’kam fjalë të sakta për të thënë. Është Krishti që më mëson të fal, edhe kur zemra ime do të mbajë inat. Që më mëson të dua, edhe kur bota rreth meje më mëson të mbyllem. Që më kujton se çdo gabim imi s’është fundi i historisë sime, sepse ka gjithmonë hapësirë për fillim të ri, për falje, për ringjallje. Kur bie, Krishti im nuk më lë të mbetem përtokë. Kur dyshoj, nuk më dënon për dyshimin, por më pret me durim, si babai që pret djalin plangprishës të kthehet në shtëpi. Kur gëzohem, gëzohet me mua,kur vuaj, e ndjej praninë e Tij si një përqafim të heshtur. Krishti im është shtëpia ime shpirtërore, vendi ku kthehem gjithmonë, sido që të jetë bota përjashta. Është besimi që mbaj fort në duar edhe kur gjithçka tjetër lëkundet. Është drita që s’e shoh gjithmonë me sy, por që e ndjej gjithmonë me zemër. Dhe kur e emërtoj “Krishti im” s’them thjesht një emër. Them një lidhje. Një dashuri që s’e zgjodha unë vetëm, por që erdhi të më zgjedhë Ai mua i pari.
