I mbijetuari i kohës

Ndaje

Në fillim nuk binte në sy. Ishte nga ata njerëz që hynin në zyrë pa zhurmë, përshëndesnin me një mirësjellje të matur dhe uleshin gjithmonë pak më larg nga qendra e vëmendjes, sikur e dinte instinktivisht se roli i tij nuk ishte të udhëhiqte, por të ishte i pranishëm në mënyrën e duhur, në kohën e duhur. Ai nuk kishte ambicie të dukshme, të paktën jo në kuptimin që njerëzit e tjerë e kuptojnë ambicien. Nuk kërkonte të sfidonte, nuk kërkonte të ndryshonte, nuk kërkonte të spikaste. Ajo që ai kërkonte ishte më e thjeshtë dhe më e rrezikshme njëkohësisht,të mos dilte kurrë jashtë ritmit të atyre që kishin pushtetin. Kur ndryshonte drejtuesi, ai nuk humbiste kohë duke analizuar ndryshimin. Ai thjesht përshtatej. Nëse më parë kishte qenë i kujdesshëm, tani bëhej më i kujdesshëm. Nëse më parë kishte qenë dakord, tani bëhej edhe më dakord. Dhe nëse më parë kishte qenë i heshtur, tani mësonte kur heshtja vlente më shumë se çdo fjalë. Me kalimin e kohës, ai u bë i padukshëm në mënyrën më të dobishme për çdo sistem,nuk kundërshtonte kurrë, nuk krijonte probleme, nuk sillte tension. Drejtuesit e ndryshëm e vlerësonin për të njëjtën arsye pa e thënë me zë, ai nuk i detyronte kurrë të përballeshin me mendime të pakëndshme. Në çdo mbledhje, ai ishte gjithmonë aty. Nuk ishte i pari që fliste, por ishte i pari që tundte kokën në mënyrën e duhur. Nuk ishte ai që propozonte ide, por ai që i përforconte idetë sapo kuptonte nga po shkonte drejtimi i bisedës. Dhe kjo e bënte të dukej i besueshëm, sepse në një mjedis ku askush nuk dëshiron surpriza, parashikueshmëria ngatërrohet lehtë me besnikëri. Me kalimin e viteve, ai u ngjit në detyrë, jo sepse dikush e pa si të pazëvendësueshëm në kuptimin profesional, por sepse ishte gjithmonë i sigurt për drejtimin e erës. Ai nuk ishte njeriu që e ndryshonte rrjedhën e gjërave, por ai që e kuptonte menjëherë nga po frynte ajo. Dhe kështu, dalëngadalë, rreth çdo drejtuesi që vinte, ai mbeti gjithmonë aty. Emrat ndryshonin, politikat ndryshonin, madje edhe gabimet përsëriteshin me forma të reja, por ai mbetej konstant, si një element që nuk e sfidon sistemin, por e ndihmon atë të ndihet i qetë me vetveten. Një ditë, një i ri në institucion e pyeti pse disa vendime dukeshin gjithmonë të njëjta, pavarësisht njerëzve që vinin e iknin. Ai buzëqeshi lehtë, jo me arrogancë, por me atë qetësinë e dikujt që ka parë shumë cikle të përsëriten. “Njerëzit mendojnë se sistemet ndryshojnë kur ndryshojnë drejtuesit,” tha ai, “por në të vërtetë, sistemet ndryshojnë shumë më pak se njerëzit që dinë të përshtaten me ta.” Dhe pastaj u kthye në punën e tij, pa shtuar asgjë tjetër, sepse për të, gjithçka tjetër tashmë ishte thënë prej kohësh, vetëm se jo gjithmonë me zë të lartë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit