Ka figura historike që i ngjajnë monumenteve të ftohta, të largëta dhe të ngrira në bronz. Dhe ka të tjera që mbeten si deti ,të trazuar, të gjalla, me legjenda që nuk pushojnë së lëvizuri mes historisë dhe mitit. Një prej tyre është padyshim Laskarina Bubulina, gruaja që sfidoi jo vetëm Perandorinë Osmane, por edhe vetë kohën në të cilën jetoi.Më 11 maj 1771, në Stamboll, atëherë Kostandinopojë, lindi një vajzë që askush nuk do ta imagjinonte se një ditë do të komandonte anije lufte në një Mesdhe të dominuar nga burrat, armët dhe perandoritë. Ajo lindi në një epokë ku gratë zakonisht mbeteshin në heshtjen e shtëpisë, ndërsa historia shkruhej nga zhurma e topave dhe e shpatave. Por Bubulina nuk pranoi të ishte thjesht dëshmitare e historisë por të bëhej pjesë e saj.Mbiemrin “Bubulina” e mori pas martesës me Dhimiter Bubulis, por identitetin e saj nuk e ndërtoi mbi martesën por mbi një figurë që do të sfidonte stereotipet e kohës dhe do të fitonte respektin e marinarëve, kapedanëve dhe madje edhe piratëve që sundonin ujërat e Egjeut. Në një botë ku deti ishte simbol i forcës mashkullore, Bubulina u bë një emër që përmendej me frikë dhe admirim. Historia e saj nuk është vetëm histori trimërie por ndikimi. Ajo zotëronte pasuri, anije dhe lidhje strategjike që i dhanë mundësi të luante rol të rëndësishëm në lëvizjet antiosmane. Flota e saj lundronte mes interesave të Perandorisë Osmane dhe ndikimit rus, në një kohë kur Mesdheu ishte një hartë intrigash politike dhe përplasjesh ushtarake.Bubulina nuk ishte thjesht një grua me armë por një mendje strategjike. Në aleancë me figura si Theodoros Kolokotronis, ajo kontribuoi në fitoret e kryengritjeve antiosmane, ndërsa hija politike e Ali Pashës lëvizte shpesh në sfondin e këtyre zhvillimeve. Ballkani i asaj kohe ishte një mozaik aleancash të brishta, tradhtish dhe interesash që ndryshonin me shpejtësinë e erës së detit. Por Bubulina arriti të mbetet figurë me autoritet në një kohë kur autoriteti fitohej me luftë. E megjithatë, historia ka një ironi të errët se njerëzit që i mbijetojnë detit, shpesh humbin në tokë. Një grua që sfidoi flotat osmane, që përballoi betejat dhe intrigat politike të kohës, nuk do të vritej në luftë por në një duel heroik mes tymit dhe topave. Fundi i saj do të ishte banal në krahasim me madhështinë e jetës që kishte jetuar,një konflikt familjar. Një plumb i ardhur nga dora e një arvanitasi të familjes Koçi do t’i jepte fund jetës së saj në vitin 1825.Dhe ndoshta aty qëndron tragjedia më njerëzore e figurave të mëdha historike.Ata i mbijetojnë perandorive, por jo gjithmonë zemërimeve të vogla njerëzore.Sot, kur emri i Bubulinës rikthehet në kujtesën historike, ajo mbetet më shumë se një figurë e revolucionit grek. Ajo mbetet simbol i një force që nuk pranoi kufijtë që i impononte koha. Një grua arvanitase që i dha detit një emër femre në një epokë burrash.Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse historia e saj vazhdon të frymëzojë,sepse Bubulina nuk fitoi vetëm beteja por të drejtën për të mos u harruar.
