Ishulli i Ethosit

Ndaje

A mos vallë ekziston një vend ku njeriu mbetet i drejtë edhe kur askush nuk e shikon, apo kjo është thjesht një mënyrë e bukur për të besuar se ndërgjegjja njerëzore ende ka një strehë të vetën?

Në hartat e botës nuk gjendet, nuk ka koordinata, as kufij të vizatuar me bojë të kuqe, as flamur që valëvitet mbi të e megjithatë “Ishulli i Ethosit” jeton në heshtje në çdo shoqëri dhe në çdo njeri që ende nuk e ka shitur ndërgjegjen për leverdi të çastit, duke mbetur një hapësirë ku e drejta nuk matet me përfitim, por me peshën e ndërgjegjes.Thuhet se ky ishull nuk është ndërtuar nga toka dhe deti, por nga njerëzit vetë, nga mënyra si ata zgjedhin të sillen kur jeta nuk i mban nën lupë, aty ku fjala “ndershmëri” nuk është zbukurim fjalori por gur themeli i karakterit, dhe ku e vërteta nuk përkulet sipas interesit të momentit, por qëndron drejt edhe kur era e rrethanave fryn kundër saj. Në këtë ishull, ligjet nuk janë të shumta, sepse shumë gjëra rregullohen nga një forcë e padukshme, por e fuqishme si guri i rëndë në zemër, që quhet etos, ajo ndjesi e brendshme që e bën njeriun të mos shkelë mbi veten e tij për një përfitim të shpejtë, dhe që e mban larg nga rruga e shkurtër kur ajo rrugë është e gabuar. Një njeri që jeton në Ishullin e Ethosit nuk sillet mirë nga frika e ndëshkimit, por sepse nuk di të jetojë ndryshe pa rënë ndesh me veten e tij, sepse për të, fjala e dhënë është më e rëndë se guri, dhe ndërgjegjja është më e fortë se çdo sy që e vështron. Por legjenda e ishullit thotë se ai nuk ka qenë gjithmonë i qetë, sepse dikur banorët e tij u përballën me një dilemë të madhe si teh thike.
A duhet të mbetet etika e pandryshuar si shkëmb në det, apo duhet të lakohet sipas erërave të kohës dhe nevojave të shoqërisë? Disa thoshin se morali duhet të jetë i lëvizshëm si uji që merr formën e enës, ndërsa të tjerë besonin se pa një shtyllë të fortë, çdo shoqëri rrëzohet si kullë rëre përballë dallgëve të interesit dhe pragmatizmit të verbër. Një ditë, në ishull mbërriti një udhëtar i huaj, i cili nuk solli as pasuri e as fuqi, por solli pyetje që binin si gurë në ujë të qetë.
Përse jeni të drejtë kur askush nuk ju sheh, pse nuk e shtrembëroni të vërtetën kur ajo ju rëndon, dhe pse e mbani fjalën edhe kur askush nuk ju detyron ta mbani? Banorët nuk folën si një zë i vetëm,disa thanë se ishte zakon i trashëguar, të tjerë se ishte edukatë e rrënjosur thellë, ndërsa disa të tjerë heshtën gjatë, sepse e kuptuan se ndershmëria e tyre nuk kishte lindur brenda një dite, por ishte rritur si pemë me rrënjë të thella në tokën e brezave që i kishin paraprirë. Me kalimin e kohës, udhëtari u largua po aq qetë sa kishte ardhur, por pyetjet e tij mbetën pezull si mjegull mbi ishull, dhe banorët filluan të kuptonin se etika nuk është gur i gdhendur njëherë e përgjithmonë, por një proces i përditshëm, ku njeriu e mban veten në peshore të ndërgjegjes çdo ditë. Disa filluan të thonë se ishulli po zbehej, sepse njerëzit po ecnin më shumë me mendjen e përfitimit sesa me zemrën e drejtësisë, ndërsa të tjerë besonin se ai nuk ishte zhdukur, por ishte zhvendosur brenda njeriut, në ato vendime të vogla ku nuk ka dëshmitarë, por ka gjithmonë një gjykatës të heshtur brenda nesh. Dhe kështu, Ishulli i Ethosit mbetet ende sot një vend pa hartë, por me shumë rrugë të brendshme, një kujtesë e butë por e fortë njëkohësisht, se shoqëria nuk matet nga fjalët që thotë në publik, por nga zgjedhjet që bën kur bie heshtja mbi të , por dhe kur njeriu mbetet vetëm përballë vetes së tij.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit