Shpata e Damokleut

Ndaje

Ka një metaforë të vjetër që nuk plaket kurrë, sepse nuk i përket vetëm një kohe por çdo kohe ku pushteti, frika dhe joshja e privilegjit bashkëjetojnë në një ekuilibër të brishtë,Shpata e Damokleut. Në rrëfimin klasik, Damokleu pranon të ulet në vendin e mbretit, i mahnitur nga shkëlqimi, komoditeti dhe ndjesia e fuqisë që i duket e pakufizuar, derisa kupton se mbi kokën e tij varet një shpatë e hollë, e mbajtur vetëm nga një fije e vetme e padukshme në fillim, por e pamëshirshme në kuptim, sepse çdo kënaqësi e atij fronit shoqërohet me rrezikun e vazhdueshëm të rënies. Dhe kjo është arsyeja pse kjo metaforë mbetet kaq e gjallë edhe sot,sepse ne nuk jetojmë më në pallatet e mbretërve, por shpesh jetojmë nën të njëjtën logjikë të tensionit të përhershëm, ku çdo stabilitet është i kushtëzuar dhe çdo siguri është e përkohshme.E shohim në jetën publike, ku pushteti nuk është kurrë i çliruar nga presioni i vet, ku vendimmarrja nuk është kurrë vetëm vendimmarrje, por gjithmonë një ekuilibër mes interesave, frikës dhe pasojave që mund të vijnë në çdo çast, por e shohim edhe në jetën tonë të përditshme, ku shpata nuk është gjithmonë e dukshme por ndjehet si një ankth i lehtë që nuk largohet plotësisht. Në këtë kuptim, Shpata e Damokleut nuk është vetëm simbol i pushtetit, por simbol i vetë vetëdijes moderne, ku njeriu jeton me ndjesinë se çdo moment i stabilitetit mund të përmbyset nga një ndryshim i papritur, një vendim i jashtëm, një rrethanë që nuk e kontrollon dot, një fije që mund të këputet në çdo çast.Por ndoshta ironia më e madhe e kësaj metafore qëndron në faktin se shpesh ne vetë zgjedhim të ulem në ato vende ku shpata varet mbi kokë, sepse joshja e lartësisë, e pushtetit apo e suksesit është më e fortë se kujdesi për rrezikun dhe vetëm më vonë kuptojmë se çmimi i shkëlqimit është ankthi i përhershëm.
Shpata e Damokleut nuk mbetet vetëm një histori e lashtë, por një kujtesë e heshtur se çdo privilegj ka hijen e vet, dhe se çdo lartësi që na tërheq, kërkon gjithmonë një lloj vetëdijeje të qetë për brishtësinë e saj.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit