Kishte një kohë kur qyteti dukej si një libër i hapur, faqet e të cilit ishin të mbushura me mundësi dhe çdo rrugicë dukej si fillim i një historie të re. Ishim të rinj atëherë jo vetëm në moshë, por në shpirt dhe besonim me atë naivitetin e bukur të njeriut që nuk është djegur ende, se mjaftonte të doje diçka me gjithë zemër për ta arritur. Qyteti na kishte mësuar të ëndërronim me sy hapur, por askush nuk na kishte treguar se sa herë sytë e hapur shohin gjëra që të therin. Kujtohen mëngjeset e para kur ecje nëpër rrugë me atë ndjenjë të çuditshme në gjoks gjysmë frikë, gjysmë eufori, sikur diçka e madhe po të priste pas çdo kthese. Qyteti kishte erën e betonit të lagur dhe të kafesë së djegur, kishte zhurmën e makinave dhe thirrjet e shitësve, kishte fytyra të panumërta që kalonin me nxitim, secila duke mbajtur të fshehur brenda vetes një botë të tërë. Dhe ti, mes gjithë asaj lëvizjeje, ndiheshe njëkohësisht pjesë e diçkaje të madhe dhe tmerrësisht i vogël. Pritshmëritë ishin të larta jo nga arroganca, por nga ai besimi i pastër që të jep mosha kur ende nuk e njeh çmimin e gjërave. Besoje se puna e ndershme shpërblehet, se talenti gjen rrugën e vet, se njerëzit e mirë gjejnë njëri-tjetrin, se ky qytet me gjithë zhurmën e tij kishte një zemër që rrihte diku, e fshehur por e gjallë. Vitet kaluan si shiu i sotëm, pa leje, pa paralajmërim, pa ndalur për të pyetur nëse je gati. Dhe me vitet, mësuam, jo ato gjërat që na mësojnë nëpër shkolla me radhë dhe me metodë, por ato mësimet e dhimbshme që vijnë natën, kur je vetëm dhe qyteti ulërin jashtë dritares dhe ti kupton papritmas se premtimet kishin datë skadence, se mundësitë kishin emra dhe lidhje, se dinjiteti ishte luks që jo të gjithë mund ta mbanin gjatë. Mësuam se ky qytet i jep shumë atyre që tashmë kanë dhe u merr ngadalë, me durim të ftohtë, atyre që vijnë me duar bosh dhe zemër të hapur. Zhgënjimi nuk erdhi si goditje, do të ishte më lehtë kështu. Erdhi si shi i imët, i pandjerë në fillim, por që të lagë deri në palcë pa e kuptuar kur filloi. Erdhi me çdo intervistë pune ku “do t’ju kontaktojmë” nënkuptonte heshtje të përjetshme. Erdhi me çdo miqësi që u zbeh nën peshën e jetës së përditshme. Erdhi me çdo ëndërr që u shty për nesër, pastaj për javën tjetër, pastaj u harrua ngadalë, si një fytyrë e dikurshme e dashur. Sot ecim nën shi, secili nën çadrën e vet, secili i mbyllur brenda heshtjes së vet. Shohim njëri-tjetrin nga këndi i syrit këto hije të njohura e të panjohura njëkohësisht dhe ndoshta njohim në sytë e tjetrit të njëjtën lodhje, të njëjtën pyetje të pashprehur.
A ia vlen ende të presësh diçka nga ky qytet? Pyetja mbetet e varur në ajër si avulli i ftohtë i frymës sonë.
Qyteti nuk përgjigjet. Qyteti kurrë nuk përgjigjet sepse ai vetëm vazhdon, indiferent dhe i pamëshirshëm në vazhdimësinë e tij, duke i gëlltitur brezat njëri pas tjetrit, duke marrë energjinë e tyre të re dhe duke u kthyer pluhur e lodhje. Ndërtesat ngrihen, vitrinat ndryshojnë, fytyrat e reja vijnë me të njëjtin shkëlqim në sy që kishim edhe ne dikur dhe ne i shohim dhe ndihemi njëkohësisht të dhimbsur për ta dhe xhelozë për ëndrrat e tyre të paprekura. Ditë të vështira na presin por ndoshta kjo nuk është vetëm kërcënim. Ndoshta është edhe lloj i çuditshëm guximi, fakti që vazhdojmë të ecim nën shi, që nuk kemi hedhur çadrat, që ende dalim çdo mëngjes në rrugët e këtij qyteti që na ka zhgënjyer, por që megjithatë mbetet i yni me të gjitha plagët, me të gjithë premtimet e thyer, me të gjithë bukurinë e tij të ftohtë dhe mizore. Sepse ky qytet, sado të ketë marrë prej nesh, është i vetmi vend ku hija jonë ka formë dhe hija, sado e errët, është ende dëshmi se dikur ka pasur dritë.
p.s. Shkruar nën shi, për të gjithë ata që ende ecin.
