Johannes Vermeer dhe epoka e dritës së heshtur

Ndaje

Në historinë e artit evropian, ka periudha që nuk bërtasin me madhështi por flasin me detaj, me qetësi dhe me një ndjeshmëri të thellë që zbulohet vetëm kur syri mësohet të shohë ngadalë. Një nga këto periudha është “Epoka e Artë Hollandeze”, një kohë lulëzimi ekonomik dhe kulturor në Holandën e shekullit të 17-të, ku arti nuk ishte më vetëm privilegj i oborreve mbretërore, por edhe pasqyrë e jetës së përditshme, e dritës që hyn nga një dritare, e një tavoline të thjeshtë, e një çasti njerëzor të ngrirë në kohë.Në këtë botë të qetë dhe të kujdesshme, lind dhe krijon Johannes Vermeer, një piktor që nuk la pas një mori veprash, por la një thellësi të rrallë në ato pak që krijoi. Ai nuk ishte artist i zhurmshëm, nuk kërkonte skena madhështore apo dramatike por madhështinë në heshtje, në dritën që bie mbi një mur, në një moment reflektimi, në një shikim të ndalur. Vermeer jetonte dhe punonte në Delft, një qytet i qetë, ku arti i tij nuk synonte të trondiste botën, por ta ngadalësonte atë. Ai ishte mjeshtër i dritës, por jo dritës si spektakël, dritës si ndjesi, si frymëmarrje e butë që prek fytyrat, objektet dhe hapësirat, duke i bërë ato të duken më reale se realiteti vetë. Në veprat e tij, koha nuk ecën shpejt, ajo qëndron pezull, sikur të mos guxojë të prishë një çast të përsosur qetësie.Në këtë univers të tij artistik, një nga veprat më të njohura dhe më misterioze është portreti i njohur si “ vajza me vëthin perlë“ Një vajzë e re, e kthyer lehtë nga shikuesi, me një vështrim që nuk është as i plotë, as i largët, por diku në mes si një mendim që sapo ka lindur dhe ende nuk është thënë me fjalë. Ajo nuk buzëqesh, nuk pozon në kuptimin klasik të portretit por thjesht është aty, në një çast të pastër pranisë. Ajo që e bën këtë vepër kaq të fuqishme nuk është vetëm fytyra e saj, por atmosfera që e rrethon. Errësira e sfondit e thekson më shumë dritën që bie mbi lëkurën e saj, mbi buzët e lehta dhe mbi vëthin e madh prej perle që bëhet pika qendrore e gjithë kompozimit. Ai vëth nuk është thjesht një zbukurim; është një reflektim drite, një pikë e vogël universi që kap dhe kthen dritën, sikur të jetë një botë më vete brenda një bote më të madhe. Në këtë portret, Vermeer nuk kërkon të tregojë historinë e një vajze të njohur, por të kapë një moment të pastër njerëzor, një shikim që nuk i përket as të kaluarës, as të ardhmes, por vetëm atij çasti të brishtë kur njeriu ekziston pa role, pa zhurmë, pa shpjegime. Kjo është edhe forca e artit të tij në përgjithësi, ai nuk imponon kuptim, por e lejon atë të lindë ngadalë tek shikuesi. Në një kohë kur shumë artistë kërkonin madhështi dhe narrativë të fuqishme, Vermeer zgjodhi intimitetin, qetësinë dhe vëzhgimin e thellë të jetës së zakonshme. Dhe pikërisht për këtë arsye, arti i tij nuk plaket. Nëse e shohim më gjerë, Epoka e Artë Hollandeze nuk ishte vetëm një periudhë prosperiteti ekonomik, por edhe një moment kur arti u kthye drejt njeriut të thjeshtë, drejt hapësirave të brendshme, drejt dritës natyrore dhe jetës së përditshme. Në këtë kontekst, Vermeer qëndron si një poet vizual i heshtjes, një artist që na mëson se bukuria nuk është gjithmonë në atë që bie në sy menjëherë, por në atë që kërkon kohë për t’u ndjerë. Dhe ndoshta kjo është trashëgimia e tij më e madhe: të na kujtojë se në një botë të shpejtë dhe të zhurmshme, ende ekziston vlera e shikimit të ngadaltë, e vëmendjes së thellë dhe e çasteve që nuk kërkojnë shpjegim por vetëm prani.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit