Miqësitë që nuk presin qiell të kthjellët

Ndaje

Ka ditë në jetët tona kur e kuptojmë ndoshta më qartë se kurrë, se njerëzit nuk maten nga sa fort qeshin me ne në momentet e lehta, por nga mënyra se si qëndrojnë pranë nesh kur gjithçka rëndohet pa zhurmë, kur mendimet bëhen më të ngadalta, kur fjalët humbasin drejtimin dhe kur edhe heshtja fiton një peshë që nuk e kishim ndjerë më parë. Me kohën kemi mësuar se miqësia e vërtetë nuk është gjithmonë e dukshme dhe as e zhurmshme, nuk kërkon skena të mëdha dhe as prova të bujshme për të ekzistuar, sepse ajo shpesh jeton në gjestet më të thjeshta dhe më të heshtura, në një mesazh që vjen në një orë të vonë, në një “hej, mike, si je ? ” që nuk ka nevojë për shpjegime, në një prani që nuk na kërkon të jemi ndryshe nga ç’jemi. Një miqësi e vërtetë nuk është ajo që na shoqëron vetëm kur jemi mirë dhe të plotësuar, por ajo që nuk stepet kur nuk jemi në versionin tonë më të mirë, kur nuk kemi përgjigje për gjithçka dhe kur nuk kemi as forcë për t’i kërkuar ato, është ajo që nuk e mat afërsinë me dritën e ditëve të lehta por me qëndrueshmërinë në ditët kur gjithçka bëhet më e vështirë për t’u mbajtur. Ka një mendim që na rikthehet se miqësia nuk pret qiell të kthjellët dhe sa herë e mendojmë, kuptojmë se nuk flet për motin jashtë nesh, por për atë që ndodh brenda, për ato stuhitë e vogla e të mëdha që nuk duken, por që na formësojnë në heshtje, sepse jeta nuk është gjithmonë e qartë dhe as ne nuk jemi gjithmonë të lehtë për t’u kuptuar, por pikërisht në këtë paqartësi merr kuptim prania e dikujt që zgjedh të mos largohet. Kemi vënë re se njerëzit e vërtetë nuk përpiqen të na rregullojnë kur jemi të lodhur emocionalisht, nuk na japin përgjigje të shpejta për pyetje që kërkojnë kohë, por na japin diçka më të rrallë, hapësirë, durim dhe një qetësi që nuk imponon, por mbështet dhe ndonjëherë, kjo është më e vlefshme se çdo fjalë e zgjedhur me kujdes. Në një botë ku gjithçka duket e shpejtë dhe e përkohshme, ku marrëdhëniet shpesh maten me lehtësinë dhe jo me qëndrueshmërinë, miqësitë që nuk presin kushte ideale na duken si një formë e rrallë besnikërie, si një zgjedhje e heshtur për të qëndruar, edhe kur është më e thjeshtë të largohesh, edhe kur nuk ka asnjë garanci se gjithçka do të bëhet më e lehtë. Dhe ne, e kuptojmë se nuk është dielli që i bën marrëdhëniet të vlefshme, por mënyra se si dikush zgjedh të qëndrojë me ne edhe kur bie shi pa pushim, kur dita duket më e gjatë se zakonisht dhe kur brenda nesh gjithçka kërkon kohë për t’u qetësuar, sepse pikërisht në ato çaste mësojmë se disa njerëz nuk janë thjesht pjesë e jetëve tona, por janë mënyra se si ne mësojmë të mos ndihemi vetëm brenda tyre.
Dhe ndoshta këtu qëndron edhe forca jonë më e madhe, në faktin se, duke pasur pranë të paktën një njeri që nuk largohet në stuhitë tona, ne nuk jemi më duke e kaluar jetën vetëm duke mbijetuar, por duke u rritur, duke u bërë më të thellë dhe më të qëndrueshëm, duke kuptuar se edhe kur qielli nuk kthjellohet menjëherë, brenda nesh mund të lindë një qetësi që nuk varet më nga moti i botës, por nga lidhjet që kemi zgjedhur të mbajmë gjallë, me kujdes, me durim dhe me një besnikëri që nuk ka nevojë të shpallet për të qenë e vërtetë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit