Në hapësirat e qeta të muzeumeve arkeologjike, ku koha duket sikur flet me zë të ulët, një detaj përsëritet me këmbëngulje dhe ato janë , flokët. Të skalitur në mermer, të kthyer në spirale, në valë të buta apo kaçurrela të dendura, ato shfaqen pothuajse në çdo fytyrë të Greqisë së Lashtë. Nuk është një rastësi estetike por një gjuhë e tërë arti, materiali dhe ideali. Në shikim të parë, mund të duket thjesht si stil por në të vërtetë, flokët kaçurrela janë një zgjedhje e menduar në disa nivele njëkohësisht. Së pari, ekziston arsyeja praktike. Skulpturat antike shpesh punoheshin në mermer, një material i bukur, por i brishtë. Fijet e holla të flokëve të drejtë do të ishin shumë të ekspozuara ndaj thyerjes gjatë gdhendjes ose me kalimin e kohës. Kaçurrelat, përkundrazi, krijojnë volum dhe lidhje më të forta me strukturën e kokës, duke e bërë figurën më të qëndrueshme dhe më të sigurt në realizim. Pra, edhe vetë forma e bukurisë u përshtat me kufijtë e materialit. Por grekët nuk ndaleshin te funksioni. Ata kërkonin diçka më të thellë, iluzionin e jetës. Flokët e gdhendur në valë krijojnë hije, kontraste dhe thellësi. Në dritën e fortë mesdhetare, një sipërfaqe e tillë nuk është e sheshtë por lëviz me dritën. Koka e statujës nuk duket më si gur i ftohtë, por si një çast i ngrirë në kohë. Kaçurrelat e bëjnë fytyrën më të gjallë, më të afërt me frymën njerëzore që arti grek përpiqej të kapte. Por mbi të gjitha, aty qëndron kuptimi kulturor. Në mendësinë e Greqisë së Lashtë, bukuria nuk ishte vetëm pamje, por ide. Flokët e dendur, të valëzuar dhe të rregulluar në mënyrë harmonike simbolizonin rininë, forcën dhe përsosmërinë trupore. Perënditë nuk përfaqësoheshin si njerëz të zakonshëm, por si forma të idealizuara të njeriut. Edhe filozofët, atletët dhe heronjtë nuk ishin thjesht portrete por versione të përpunuara të asaj që njeriu mund të bëhej. Në këtë kuptim, flokët kaçurrela nuk janë vetëm detaj fizik por shenjë e një bote ku arti nuk pasqyron realitetin, por e riformëson atë. Në çdo spirale të skalitur në mermer, grekët nuk përmendnin thjesht një stil por një ide, se njeriu, edhe kur është gur, mund të bartë brenda vetes lëvizjen, jetën dhe idealin e bukurisë së përhershme.
