E hapa sërish Makbeth-in pas kaq kohësh, me atë ndjesinë e dyfishtë që shoqëron gjithmonë rikthimin te një vepër e njohur,një përzierje mes familjaritetit dhe një pritjeje të heshtur se këtë herë do të zbuloj diçka që më parë më kishte shpëtuar.
Mendoja se do të ishte një rilexim i qetë, një rikthim në një histori që tashmë e njihja, por shumë shpejt kuptova se librat e mëdhenj nuk rilexohen për t’u kujtuar, por për t’u përballur me to ndryshe. Herën e parë, më kujtohet se më kishte tërhequr atmosfera e errët, tensioni dramatik, prania pothuaj mistike e shtrigave dhe ideja e një fati që dukej sikur e shtynte historinë drejt një fundi të pashmangshëm. Por këtë herë, ajo që më goditi nuk ishte misteri, por qartësia tronditëse e zgjedhjeve. Makbeth nuk është një njeri i shtyrë verbërisht nga forca të jashtme, por një individ që e kupton shumë mirë se çfarë po bën dhe megjithatë vendos të ecë përpara, duke e kaluar kufirin me një vetëdije që e bën tragjedinë edhe më të rëndë. Në këtë rilexim, u zhduk pothuajse çdo justifikim që dikur mund t’i kisha dhënë personazhit, sepse bëhet e qartë se profecitë nuk janë shkaku i veprimeve të tij, por vetëm një pasqyrë e dëshirave që ai tashmë i mban brenda vetes, një lloj leje e heshtur për të bërë atë që në një moment tjetër mund të kishte zgjedhur ta ndalonte. Por ajo që më mbeti më gjatë në mendje nuk ishte vet akti i krimit, por mënyra si ai shndërrohet në një proces të vazhdueshëm rrëshqitjeje, ku çdo hap i ri nuk bëhet për të fituar diçka, por për të mbrojtur atë që tashmë është humbur, duke e futur personazhin në një spirale ku pushteti nuk është më qëllim por barrë. Makbeth, në këtë kuptim, nuk është më thjesht figura e një mbreti tragjik, por një njeri që humb gradualisht raportin me veten, me realitetin dhe me çdo ndjenjë që dikur e bënte të dallueshëm si qenie njerëzore, duke u kthyer në një figurë që vepron më shumë nga frika sesa nga ambicia. E mbylla librin me një ndjesi që nuk kishte të bënte më vetëm me admirimin për madhështinë e veprës, por me një lloj shqetësimi të qetë dhe këmbëngulës, sepse kupton se kjo histori nuk i përket vetëm skenës apo një kohe të largët, por prek një të vërtetë shumë më universale,se kufijtë moralë nuk thyhen papritur, por zbehen ngadalë, derisa bëhen të padukshëm. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ky rilexim ishte më i fortë se i pari, sepse libri nuk kishte ndryshuar, por mënyra ime për ta parë po , dhe pikërisht në këtë ndryshim qëndron fuqia e vërtetë e letërsisë, që nuk të jep vetëm histori për të lexuar, por pasqyra ku je i detyruar të shohësh veten më qartë se sa do të doje.
Ndaje
