“Unë jam i fundit poet i fshatit,dhe kënga ime është e thjeshtë si bari…”

Ndaje

Kështu nis të të flasë Sergej Esenin, jo si një zë i largët i letërsisë por si një njeri që vjen nga dheu, me duar të mbushura me aromën e tokës dhe me shpirtin e lagur nga mallëngjimi. Tek ai, fjala nuk kërkon zbukurim por rrjedh si një rrëfim i sinqertë, i papërmbajtur, që nuk druhet të shfaqë plagët e veta. Esenini nuk i përket qyteteve të zhurmshme por heshtjes së fushave, ku çdo tingull ka peshë dhe çdo kujtim lë gjurmë. Ai i këndon natyrës si një dashurie të vjetër, të cilën nuk mund ta braktisë edhe kur jeta e shtyn drejt humbjes dhe trazirës. Në vargjet e tij, gjelbërimi nuk është vetëm ngjyrë, por një gjendje shpirtërore,një strehë ku ai kthehet sa herë që bota bëhet e padurueshme.Por pas kësaj butësie fshihet një shpirt i trazuar. Ai nuk është vetëm poeti i fshatit por edhe njeriu që përplaset me vetveten, që kërkon pa gjetur dhe që digjet pa u shuar kurrë plotësisht. Dashuria për të nuk është paqe, por një stuhi që e rrëzon dhe e ringre, një ndjenjë që e bën të jetojë më fort, por edhe ta ndiejë më thellë boshllëkun.Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron forca e tij, në faktin se ai nuk e fsheh këtë përplasje por e kthen në poezi. Tek Esenini, jeta nuk zbukurohet por rrëfehet ashtu siç është, e bukur, e dhimbshme dhe e papërmbajtshme. Në fund, mbetet ndjesia se ai nuk shkroi për të qenë i pavdekshëm, por sepse nuk mund të jetonte ndryshe.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit