Ekziston një lloj trishtimi që nuk pyet për arsye, që nuk vjen pas një humbjeje të dukshme, nuk lind nga konflikte apo ngjarje të qarta dhe të shpjegueshme, por shfaqet ngadalë, me heshtje dhe pa bujë, si mjegulla e mëngjesit që mbush qytetin para se të hapësh sytë, dhe një ditë dhjetori, janari apo shkurti zbulon se diçka brenda teje dhe në botën përreth ka ndryshuar njëkohësisht, duke të bërë të ndihesh më e rëndë, më e ngadaltë, më e tërhequr nga vetmia dhe pa arsye të dukshme. Dhe në fakt, diçka ka ndryshuar, jo vetëm brenda meje por edhe në natyrën përreth, ditët janë bërë më të shkurtra, drita fillon të tërhiqet ngadalë si dallga që kthehet pas bregut, mëngjeset janë shndërruar në errësirë, dreka ka marrë nuancën e mbrëmjes dhe trupi, ky sistem i mahnitshëm, delikat dhe i ndërlikuar e ka ndjerë këtë ndryshim shumë përpara se të jeni vetë të vetëdijshëm, duke shfaqur ndryshimet në energji, gjendje shpirtërore dhe motivim para se të mund t’i kuptosh me mençuri. Ky është Çrregullimi Afektiv Sezonal, i njohur ndryshe me akronimin SAD, një term që vetë tingëllon si një fjalë angleze por që prek miliona njerëz në të gjithë botën çdo vit me një regularitet pothuajse astronomik, duke ndjekur lëvizjen e diellit dhe gjatësinë e ditës me precizion që do t’i kishte zili çdo orë mekanike. Njeriu ka ndjerë gjithmonë rëndesën e dimrit jo vetëm si vështirësi praktike të ftohtit dhe mungesës, por edhe si gjendje të brendshme që ndryshon me stinën, siç e vuri re Hipokrati para dy mijë vjetësh, duke shkruar se stinët ndikojnë mbi shëndetin e njerëzve,një vërejtje e thjeshtë që për dekada mbeti pa kuptim të plotë shkencor, deri kur traditat popullore të shumë kulturave e emërtuan këtë rëndim dimëror, e shoqëruan me rituale, festa dhe zjarre që simbolizonin dritën dhe ringjalljen, si Krishtlindjet dhe të gjitha të vendosura rreth kohës kur errësira arrin kulmin e saj. Megjithatë, njohja klinike dhe emërtimi shkencor erdhën vetëm në vitin 1984, kur psikiatri amerikan Norman Rosenthal publikoi studimin e tij themelor në revistën Archives of General Psychiatry, duke përshkruar me saktësi atë që shumë njerëz kishin ndjerë gjatë dekadave, por askush nuk e kishte kodifikuar si entitet të veçantë diagnostik. Historia e Rosenthalit është veçanërisht domethënëse, i rritur në Afrikën e Jugut, ku drita është e bollshme gjatë gjithë vitit, ai vuri re kur u transferua për të punuar në New York se gjatë dimrit ndiente një rëndim të brendshëm, energji më të ulët dhe entuziazëm të zvogëluar, dhe si shkencëtar nuk e pranoi këtë thjesht si “lodhje dimri,” por hulumtoi, krahasoi dhe konkludoi duke krijuar kështu një kategori diagnostike që sot njohin psikiatrët në të gjithë botën. Është e rëndësishme të bëhet dallimi i qartë midis SAD-it dhe atij ngadalësimi natyral dhe të lehtë që pothuajse të gjithë ndjejmë gjatë dimrit, dëshira për të qëndruar brenda, për të ngrënë ushqime të ngrohta, për të pushuar më shumë, që është përgjigje adaptive dhe normale e organizmit ndaj ndryshimit të stinës dhe depresionit klinik sezonal, i cili prek aftësinë për të funksionuar, për të punuar, për të mbajtur marrëdhënie, për të gjetur kuptim dhe kënaqësi në gjërat e përditshme, duke shfaqur simptomat tipike të depresionit të plotë, por me rregullsi sezonale, zakonisht duke filluar në vjeshtë të vonë ose në fillim të dimrit dhe duke u zbutur me ardhjen e pranverës dhe dritës. SAD-i manifestohet me shenja që dallojnë nga depresioni klasik si oreks të shtuar për karbohidrate dhe ushqime të ëmbla, gjumë të tepërt, ndjenjë të rëndimit të gjymtyrëve, tërheqje nga jeta sociale, vështirësi për t’u përqendruar, ndjenja të pavlefshmërisë dhe, në rastet më të rënda, mendime të errëta. Pra çdo hap i ditës kërkon më shumë përpjekje se zakonisht, ditët bëhen prova durimi dhe nata strehë, ndërkohë që ndërgjegjja se trishtimi do të kthehet me çdo shkurtime të ditës shton një peshë të padukshme dhe të vazhdueshme mbi vetëdijen e njeriut. Shkenca ka zbuluar mekanizma biologjikë të ndërlikuar dhe të bukur në elegancën e tyre, hipotalamusi i njeriut është i pajisur me receptorë të ndjeshëm ndaj dritës që monitorojnë intensitetin e saj, dhe kur ditët shkurtohen dhe drita pakësohet, melatonina sekretohet për periudha më të gjata, serotonina bie, ritmi cirkadian humbet kalibrimin e tij dhe pacienti ndjen lodhje kronike, humbje motivimi dhe paaftësi për të gëzuar kënaqësi përveç kësaj, niveli i lartë i transportuesit të serotoninës (SERT) dhe çrregullimet në sistemin dopaminergjik e përforcojnë këtë gjendje, duke e bërë mungesën e energjisë dhe të motivimit të pakapërcyeshme për shumë pacientë. Prevalenca e SAD-it ndjek gjeografinë me saktësi ku sa më larg ekuatorit, aq më i zakonshëm, në Florida, rreth një për qind, ndërsa në Alaska arrin nëntë deri dhjetë për qind, dhe në vendet skandinave ku dimrat sjellin deri në njëzet orë errësirë, SAD-i është realitet social, kulturor dhe klinik. Gratë preken dy deri katër herë më shpesh se burrat, ndërkohë që të rinjtë dhe të rriturit e moshës së mesme janë grupet më të prekura dhe ekziston një predispozitë gjenetike e qartë. Trajtimi më i provuar dhe simbolikisht më i fuqishëm është fototerapia, një kuti drite me intensitet dhjetë mijë luksesh, që e përdor pacienti çdo mëngjes për njëzet deri tridhjetë minuta, duke lejuar që truri të regjistrojë këtë dritë si mëngjes natyral, të ndalojë sekrecionin e tepërt të melatoninës, të stimulojë serotoninë dhe të rikaliibrojë ritmin cirkadian, duke prodhuar një efekt të matshëm dhe të qëndrueshëm brenda një ose dy javësh. Përveç kësaj, psikoterapia kognitive-sjellëse, antidepresivët SSRI dhe vitamina D janë trajtime të provuara dhe të rekomanduara.Por përpara çdo diagnoze, ekziston përvoja e brendshme e atij që jeton me SAD, një gjendje e vështirë për t’u treguar me fjalë, ku çdo ditë është përpjekje për të vepruar, ku drita dhe gëzimi i vogël i momentit marrin një rëndësi të pazakontë, dhe ku pranvera ka shijen e ringjalljes si asnjëherë tjetër, duke treguar se errësira, sa gjatë që zgjon, mëson çmimin e dritës dhe i kujton njeriut nevojën për lidhje të drejtpërdrejtë me natyrën, me trupin dhe me energjinë që rrjedh nga dielli ku drita nuk është thjesht simbol, por substancë jetike, ritëm dhe jetë.
