Ka ditë kur një shkollë nuk është thjesht një institucion mësimor, por një pikë takimi i botës me vetveten.
Në këto ditë fjalët “mësim” dhe “edukim” dalin nga kornizat e zakonshme dhe marrin kuptimin e një dialogu që nuk njeh kufij, ku dija sfidohet dhe rikrijohet në bashkëbisedim të hapur. Dhe sot, në orët e para të mëngjesit , në këtë frymë u zhvillua edhe aktiviteti në Shkollën Elite, e cila u shndërrua për një ditë , në një hapësirë të gjallë mendimi dhe bashkëpunimi akademik.
Shkolla mirëpriti rreth 190 profesorë nga vende të ndryshme të botës, pjesëmarrës në Simpoziumin ETEN mbi Edukimin Qytetar Global, duke e kthyer institucionin arsimor në një qendër dialogu , ku përvoja të ndryshme edukimi u takuan në të njëjtin mjedis.Që në momentet e para, profesorët u përfshinë në jetën e përditshme të shkollës. Ata vizituan ambientet mësimore, hynë në klasat ku zhvillohej procesi i rregullt mësimor dhe u ndalën në vëzhgimin e ndërveprimit mes mësuesve dhe nxënësve. Ajo që u dallua ishte natyrshmëria e një procesi edukativ që nuk mbetet në teori, por zhvillohet në praktikë, në komunikim të hapur dhe në pjesëmarrje aktive. Një nga momentet më domethënëse të ditës ishte Panairi i Shkencës i organizuar në oborrin e Shkollës Elite nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare.
Në këtë hapësirë të hapur dhe plot gjallëri, nxënësit prezantuan punime dhe eksperimente të ndërtuara me përkushtim dhe kreativitet. Oborri u kthye në një laborator të gjallë idesh, ku shkenca nuk ishte vetëm objekt studimi, por përvojë e prekshme, e shpjeguar dhe e ndarë me të tjerët. Në këtë ndërthurje mes Simpoziumit ETEN dhe Panairit të Shkencës, u krijua një lidhje e qartë mes dy niveleve të edukimit, ai akademik ndërkombëtar dhe ai praktik i klasës.
Profesorët në bidedat e tyre ndanë vizione mbi qytetarinë globale dhe metodologjitë bashkëkohore të mësimdhënies, ndërsa nxënësit shfaqën mënyrën e tyre të të kuptuarit të botës përmes eksperimentit dhe kërkimit. Kështu, Shkolla Elite nuk u pa vetëm si një institucion arsimor pritës, por si një hapësirë ku edukimi merr formën e një dialogu të gjallë global. Në këtë ditë, ajo u bë më shumë se shkollë, u bë një urë lidhëse mes kulturave, përvojave dhe mënyrave të ndryshme të të menduarit, duke dëshmuar se edukimi qytetar global nuk është koncept abstrakt, por realitet që ndërtohet në praktikë, përditë.


