Kush përfiton nga vandalizmi? Kush ka interes që një revoltë qytetare të shndërrohet në kaos, që zëri i protestuesve të mbytet nga zhurma e përplasjeve dhe që vëmendja të largohet nga arsyet që i nxorën njerëzit në rrugë? Jo çdo njeri që shfaqet në një protestë është student, as çdo akt vandalizmi mund t’u faturohet të rinjve që kërkojnë të dëgjohen. Studentët kanë të drejtë të protestojnë, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet, por nuk duhet të bëhen as mburojë dhe as alibi për veprime që nuk i kanë kryer. Kur në një protestë shfaqen persona që shkatërrojnë, provokojnë apo nxisin përplasje, lind nevoja për të hetuar se kush janë, çfarë kanë bërë dhe nëse veprojnë individualisht apo të nxitur nga të tjerë. Por përgjigjja nuk mund të ndërtohet mbi hamendësime, etiketime politike apo akuza pa prova. Përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi fakte. Megjithatë, një gjë është e qartë se, vandalizmi mund të dëmtojë vetë kauzën që protesta kërkon të mbrojë. Kur vëmendja zhvendoset nga kërkesat e qytetarëve te xhamat e thyer, objektet e dëmtuara dhe përplasjet, debati për problemet reale rrezikon të humbasë në mjegullën e kaosit. Dhe këtu lind pyetja më e rëndësishme: a mund të përdoret vandalizmi për të delegjitimuar një protestë, për të justifikuar masa të tepruara force apo për të shmangur përgjigjet ndaj kërkesave të protestuesve? Nëse ka persona që nxisin dhunën, identifikimi i tyre është detyrë e institucioneve. Nëse ka punonjës policie që tejkalojnë kompetencat, edhe ata duhet të japin llogari. Ligji nuk mund të zbatohet sipas uniformës, moshës apo bindjeve të personit, por sipas veprimit konkret dhe provave. Prandaj, le të mos nxitohemi të akuzojmë studentët si grup dhe as të shpallim fajtorë të padukshëm pa prova. Le të kërkojmë transparencë, identifikim të përgjegjësve dhe hetim të paanshëm. Studentët nuk duhet të mbajnë mbi supe fajin e atyre që mund të fshihen pas protestës. Dhe askush nuk duhet të lejohet ta përdorë kaosin për të varrosur arsyet e revoltës. Sepse pyetja nuk është vetëm kush theu, kush goditi apo kush provokoi. Pyetja është edhe kush përfiton kur qytetari harron arsyen pse doli në rrugë dhe fillon të merret vetëm me pasojat e kaosit.
