Sheshi Liston, një mbrëmje mes kujtesës dhe elegancës

Ndaje

Në mbrëmje, kur dritat zbuten mbi Korfuz dhe hijet e ndërtesave veneciane shtrihen si kujtime të gjata mbi gurët e sheshit, Listoni nuk është më thjesht një shëtitore por një skenë e heshtur ku historia dhe eleganca vazhdojnë të luajnë rolet e tyre pa u lodhur kurrë nga publiku. E ndërtuar në fillim të shekullit XIX gjatë periudhës franceze, e frymëzuar nga rruga pariziene Rue de Rivoli, Listoni mbante një kod të pashkruar , sepse aty nuk shëtiste kushdo , por vetëm aristokracia korfiote, vetëm ata që emri dhe mbiemri i tyre kishte peshë në ajrin e qytetit. Liston Ishte një teatër social, ku çdo hap ishte një deklaratë dhe çdo ndalesë , një hierarki e padukshme. Sot gjithçka është më e hapur por diçka nga ai shpirt ka mbetur pezull në ajër. Ndoshta është mënyra si tingëllon ecja mbi pllakat e gurta. Ndoshta është ritmi i ngadaltë i mbrëmjes që nuk nxiton askënd apo ndoshta janë kujtimet, që nuk janë të miat por që më përkasin ndër breza. Dhe çdo herë që kaloj në Liston, si kjo mbrëmje pranvere, kam ndjesinë e çuditshme se po eci në një rrugë që gjyshërit e mi e kanë njohur më mirë se unë. Sikur hapat e mi ndjekin një itinerar të padukshëm, të trashëguar, që nuk shkruhet në dokumente por në ndjenja. Dhe kjo nuk është thjesht krenari por një intimitet i qetë me kohën. Në atë shëtitore elitare, ku dikur përzgjidheshin fytyrat dhe sot përzgjidhen ndjesitë, unë nuk ndihem vizitore por pjesë e një vazhdimësie dhe një historie që nuk më kërkon prova por më njeh në heshtje. Dhe ndoshta kjo është ajo që e bën Listonin kaq të bukur në mbrëmje, as dritat, as arkitektura, as gjallëria e kafeneve por fakti që, nuk është thjesht një vend por një kujtim që vazhdon…..

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit