Shen Ndou, vendi ku shkojnë shpresat

Ndaje

Nuk kam qenë kurrë në Kishën e Shën Ndout në Laç. Nuk kam ngjitur shkallët e saj mes pelegrinëve, nuk kam ndezur një qiri dhe as kam lënë një lutje të shkruar në heshtjen e atij vendi por kam dëgjuar shumë për të.Kam miq, të afërm dhe njohës që e vizitojnë çdo vit. Disa shkojnë për të falënderuar, të tjerë për të kërkuar forcë, disa për një shpresë që ende nuk është realizuar dhe të gjithë kthehen me të njëjtën ndjesi, me bindjen se kanë qenë në një vend të veçantë. Ndoshta kjo është arsyeja pse Kisha e Shën Ndout është shumë më tepër se një objekt kulti. Ajo është një vendtakim i besimit me shpresën, një vend ku njerëzit çojnë dhimbjet, frikërat, dëshirat dhe lutjet e tyre më të fshehta, një vend ku, për pak çaste, secili ndien nevojën të flasë me veten dhe me Zotin. Ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje është fakti se atje nuk shkojnë vetëm katolikët. Pelegrinët vijnë nga të gjitha besimet sepse ka vende që arrijnë të kapërcejnë kufijtë e fesë dhe të bëhen pjesë e shpirtit të një populli dhe Shën Ndou është një prej tyre. Mrekullitë që i atribuohen këtij shenjtori mund të jenë të ndryshme për secilin. Për dikë është një shërim, për dikë një zgjidhje, për dikë tjetër thjesht paqja që gjen pas një lutjeje të sinqertë sepse ndonjëherë mrekullia më e madhe nuk është ajo që ndodh jashtë nesh, por ajo që ndodh brenda nesh. Çdo 13 qershor, mijëra njerëz ngjiten drejt atij vendi të shenjtë. Secili me historinë e vet, me barrën e vet dhe me shpresën e vet dhe ndoshta kjo është forca e vërtetë e Shna Ndout që aftësia për t’i bërë njerëzit të besojnë se, edhe kur gjithçka duket e vështirë, ekziston ende një derë ku mund të trokasësh me zemër. Sepse ka vende që vizitohen me këmbë dhe ka vende që, edhe pa i parë kurrë, i ke vizituar prej kohësh me mendje dhe me shpirt.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit