Serotonina, miku më i mirë në dimër

Ndaje

Dimri nuk vjen vetëm me të ftohtin por me një heshtje më të gjatë se zakonisht, me mëngjese që mezi hapim sytë dhe me mbrëmje që bien para kohe, sikur dita lodhet shpejt nga pesha e errësirës. Në këtë stinë, shumë njerëz nuk ndjejnë vetëm mungesën e diellit në qiell, por edhe mungesën e dritës brenda vetes. Është ajo gjendje e pashpjegueshme lodhjeje, ajo rënie e humorit që nuk lidhet me ndonjë ngjarje të madhe, por me diçka më të padukshme, më të thellë dhe shpesh në heshtje, është mungesa e serotoninës. Serotonina, kjo molekulë e vogël që shkenca e quan neurotransmetues, është në të vërtetë një nga miqtë më të besueshëm të shpirtit njerëzor. Ajo nuk flet, nuk duket, por ndikon në mënyrën si zgjohemi në mëngjes, si i përballojmë njerëzit, si e shohim jetën në ditët e zakonshme. Kur ajo bie, gjithçka duket më e rëndë. Edhe detyrat e vogla kërkojnë më shumë forcë se zakonisht, edhe gëzimet duken më të zbehta dhe është dimri që e vë në provë këtë ekuilibër. Mungesa e dritës së diellit ul prodhimin e serotoninës, dhe trupi reagon duke kërkuar më shumë gjumë, më shumë ëmbëlsira, më shumë qëndrim brenda, sikur të donte të fshihej nga bota dhe kjo nuk është dobësi por mungesë vullneti.Është mënyra se si trupi përpiqet të mbrojë veten në një stinë që historikisht ka qenë e ashpër për njeriun. Por, nëse serotonina bie në errësirë, ajo mund të zgjohet edhe nga gjërat më të thjeshta. Një shëtitje në dritën e mëngjesit edhe kur qielli është gri, një bisedë e ngrohtë me një mik, lëvizja e trupit, muzika, ushqimi i mirë, rutina e rregullt. Të gjitha këto janë mënyra të vogla për t’i kujtuar trurit se dimri nuk është fundi, por vetëm një stinë. Ndoshta për këtë arsye, në muajt e ftohtë të dimrit duhet të mësojmë të kujdesemi më shumë për veten me durim. Sepse ndonjëherë, miku më i mirë nuk është ai që të jep këshilla të mëdha, por ai që të mban në ekuilibër pa bërë zhurmë dhe në dimër, ky mik i heshtur quhet serotoninë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit