Reflektim pas vjeshtës së gjatë

Ndaje

Pas një vjeshte që zgjati më shumë se zakonisht, me ditë të arta që u shuan ngadalë dhe me gjethe që ranë me një durim poetik, më duket sikur koha vetë pati nevojë të merrte frymë para se të dorëzohej te dimri. Vjeshta e gjatë është si një kapitull që s’ka dëshirë të mbyllet, si një libër që e lexon ngadalë për të mos e humbur atë që të jep, qetësinë, ngjyrën, butësinë.
Në heshtjen e saj të zgjatur, unë pashë si bien gjethet, një nga një, me një elegancë që vetëm natyra e njeh. Pashë dritën që ndryshon, zërat që zbuten, ditët që shkurtohen dhe zemrën që, pa u vënë re, hap hapësirë për një ritëm më të ngadalshëm. Vjeshta e gjatë është një kujtesë se gjithçka ka kohën e vet, rënia, pranimi, ripërtëritja.Dhe pikërisht tani, në prag të dimrit, kuptoj se kjo stinë e zgjatur më mësoi të jem më e durueshme,më e vëmendshshme, më mirënjohëse. Më mësoi të pranoja ndryshimet pa frikë, të lija pas gjërat që s’mund t’i mbaj gjithmonë, të kuptoja se bukuria shpesh gjendet në rrëshqitjen e qetë të ditëve dhe jo në vrullin e tyre.
Pas vjeshtës së gjatë, më duket sikur jam gati për dimrin jo si sfidë, por si një hap tjetër natyror i kësaj rruge të brendshme. Sepse stinët nuk janë vetëm jashtë nesh,ato ndodhin edhe brenda nesh dhe ndonjëherë, një vjeshtë e gjatë është pikërisht ajo që na duhet për t’u bërë gati të ndryshojmë, të qetësohemi, të presim dritën e re që do të vijë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit