Nevojat e një shoqërie përcaktojnë etikën e saj.

Ndaje

Kjo ide e Maja Angelu hap një dritare të rëndësishme mbi mënyrën se si etika nuk lind në vakum por në zemër të jetës shoqërore, aty ku nevojat e përditshme, krizat historike dhe ndryshimet kulturore e detyrojnë shoqërinë të rishkruajë vazhdimisht kufijtë mes të drejtës dhe të padrejtës. Etika, në këtë kuptim, nuk është thjesht një rregull i ngrirë në kohë, por një sistem i gjallë që përshtatet me realitetin që e formëson. Në periudha urie, për shembull, shoqëritë mund të zhvillojnë një etikë më të fortë të solidaritetit dhe ndarjes së burimeve, sepse mbijetesa bëhet vlera më e lartë ndërsa në periudha stabiliteti dhe zhvillimi, etika zhvendoset drejt barazisë, drejtësisë dhe të drejtave individuale, duke reflektuar një shoqëri që nuk lufton më vetëm për mbijetesë, por për dinjitet dhe mundësi. Një element interesant që shpesh neglizhohet është fakti se ndryshimi i etikës nuk ndodh vetëm në mënyrë të vetëdijshme, por edhe përmes normalizimit të sjelljeve. Ajo që një brez e konsideron të papranueshme, një brez tjetër mund ta shohë si normale, jo sepse morali u deformua por sepse nevojat dhe realitetet shoqërore kanë ndryshuar aq shumë sa kanë riformuar mënyrën e perceptimit moral. Për shembull, në epokën e teknologjisë digjitale, po lind një etikë e re që lidhet me privatësinë, të dhënat personale dhe identitetin virtual. Dikur këto çështje nuk ekzistonin fare si dilema morale, ndërsa sot janë bërë thelbësore, sepse nevojat e reja të shoqërisë moderne kanë krijuar hapësira të reja veprimi, por edhe rreziqe të reja. Këtu qëndron edhe një aspekt interesant se sa më shumë evoluon shoqëria, aq më shumë etika bëhet një terren diskutimi dhe jo një listë e pandryshueshme rregullash. Kjo do të thotë se morali nuk është vetëm trashëgimi, por edhe negociim i vazhdueshëm mes asaj që ishte, asaj që është dhe asaj që shoqëria dëshiron të bëhet. Në këtë kuadër, një pyetje mbetet gjithmonë e hapur dhe paksa sfiduese sevnëse nevojat e shoqërisë e formësojnë etikën, atëherë kush e mbron etikën kur nevojat fillojnë të përplasen me drejtësinë? Kjo është pika ku filozofia, sociologjia dhe ndërgjegjja njerëzore takohen, duke na kujtuar se jo çdo nevojë është automatikisht e drejtë, dhe jo çdo ndryshim shoqëror është domosdoshmërisht progres moral.Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron e veçanta interesante se etika nuk është vetëm pasqyrë e shoqërisë, por edhe një provë e saj. Ajo tregon jo vetëm çfarë kemi nevojë, por edhe çfarë jemi të gatshëm të mos humbim gjatë rrugës.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit