Ka një vijë të hollë mes mbështetjes dhe varësisë dhe studentët ecin mbi të çdo ditë, shpesh pa e vënë re.
AI mund të jetë një mentor i heshtur në orët e vona të natës, kur materiali duket i pakuptueshëm dhe afatet afrohen pa mëshirë. Ajo të ndihmon të ndash një temë në pjesë të kuptueshme, të formulosh më qartë një ide, të gjesh një drejtim kur ndihesh i bllokuar. Në këtë kuptim, është një aleat i vlefshëm,një shtysë që e bën të mundur të vazhdosh përpara.Por pikërisht këtu fillon rreziku sepse ndihma, kur bëhet e menjëhershme dhe pa kosto përpjekjeje, ka një efekt të padukshëm, të heq durimin për të menduar gjatë. Studentët nuk rrezikojnë të mos kenë përgjigje por rrezikojnë të mos kenë më nevojë t’i kërkojnë ato vetë dhe kur kërkimi zhduket, bashkë me të zhduket edhe një pjesë e rëndësishme e të mësuarit.Të menduarit kritik nuk lind nga përgjigjet e sakta, por nga përballja me paqartësinë, nga momentet kur nuk e di, kur gabon, kur rikthehesh dhe e ndërton mendimin nga e para. AI, në formën e saj më të lehtë për t’u përdorur, e anashkalon këtë proces. Ajo të jep një version të përfunduar të asaj që ti ende nuk e ke përtypur.
Dhe këtu lind një pyetje më e thellë se sa thjesht përdorimi i teknologjisë.
A po mëson studenti të shkruajë më mirë, apo thjesht të prodhojë tekst më shpejt?
A po mendon më qartë, apo po mbështetet në një qartësi të huazuar?
Rreziku nuk është që studentët të bëhen “më pak të zgjuar”. Rreziku është që ata të humbasin besimin tek aftësia e tyre për të ndërtuar një ide nga fillimi sepse kur gjithmonë ekziston një përgjigje e gatshme, përpjekja personale fillon të duket e panevojshme madje e lodhshme.Dhe megjithatë, zgjidhja nuk është refuzimi i AI-së përkundrazi do të ishte një betejë e humbur që në nisje.Sfida e vërtetë për studentin është të vendosë një kufi të brendshëm,
ta përdorë AI-në si pikënisje, jo si përfundim, si mjet për të kuptuar, jo për të zëvendësuar të kuptuarit. Të dijë të ndalet një hap para përgjigjes automatike dhe të pyesë veten: “A do ta kisha menduar këtë edhe vetë?”Sepse ajo që universiteti duhet të formojë nuk është thjesht një njeri që di të japë përgjigje por një mendje që di të ndërtojë pyetje.
Dhe nëse një student humbet këtë aftësi, atëherë nuk është AI që e ka dobësuar por mënyra si ai ka zgjedhur ta përdorë atë.
