Kultura nuk është dekor ceremonial i një shteti por kujtesa dhe shpirti i një kombi.

Ndaje

Ka një keqkuptim të vjetër që shfaqet shpesh në mënyrën se si shoqëritë e trajtojnë kulturën, sikur ajo të ishte një zbukurim i bukur mbi fasadën e shtetit, një element ceremonial që përdoret në festa kombëtare, në përvjetorë historikë apo në fjalime solemne. Në këtë këndvështrim të ngushtë, kultura reduktohet në një dekor simbolik, diçka që e zbukuron identitetin e një vendi, por që nuk konsiderohet pjesë e strukturës së tij të thellë. Por në të vërtetë kultura nuk është dekor. Ajo është kujtesa e gjallë e një kombi dhe shpirti i tij i përbashkët.Brenda kulturës ruhen historitë që një popull i tregon vetes për të kuptuar se kush është, nga vjen dhe ku dëshiron të shkojë. Në libra, në këngë, në teatër, në monumente dhe në gjuhën që flasim çdo ditë, një shoqëri ruan përvojat e saj kolektive , triumfet dhe tragjeditë, shpresat dhe zhgënjimet, betejat për liri dhe momentet e krijimtarisë së saj më të ndritshme. Pa këtë kujtesë kulturore, një komb rrezikon të bëhet një trup pa memorie. Mund të ketë institucione, ekonomi apo kufij politikë, por do t’i mungojë ajo lidhje e brendshme që i jep kuptim ekzistencës së tij. Kultura është gjithashtu një hapësirë reflektimi, ku një shoqëri mëson të shohë veten me sy kritik dhe të kuptojë gabimet e saj. Letërsia, arti dhe filozofia nuk janë vetëm forma estetike por mënyra përmes të cilave një popull mendon për vetveten. Në to shfaqen pyetjet më të thella për drejtësinë, për lirinë, për identitetin dhe për të ardhmen.Pikërisht për këtë arsye shoqëritë që investojnë seriozisht në kulturë nuk e bëjnë këtë vetëm për të ruajtur traditën, por edhe për të ndërtuar të ardhmen. Një bibliotekë, një teatër, një muze apo një shkollë arti nuk janë thjesht institucione kulturore por hapësira ku formohet ndjeshmëria qytetare dhe ku rritet aftësia e një shoqërie për të menduar në mënyrë të lirë dhe krijuese.Historia na tregon se në momentet më të vështira, kur kombet janë përballur me pushtime, diktatura apo kriza të mëdha, kultura ka qenë shpesh vendi ku është ruajtur identiteti i tyre. Librat e ndaluar, këngët e trashëguara, gjuha që pëshpëritej në familje apo poezitë që qarkullonin fshehurazi kanë qenë mënyra përmes të cilave një popull ka mbrojtur shpirtin e tij prandaj kultura nuk mund të trajtohet si një sektor dytësor në jetën publike, si një luks që mund të shtyhet për më vonë kur prioritetet ekonomike apo politike duken më urgjente. Në thelb, ajo është një nga themelet mbi të cilat ndërtohet vetë identiteti i një shoqërie.Sepse një shtet mund të ndërtojë rrugë, institucione dhe ekonomi, por vetëm kultura i jep atij një histori për të treguar dhe një shpirt për të ruajtur dhe ndoshta për këtë arsye është e drejtë të thuhet se kultura nuk është dekor ceremonial i një shteti, por kujtesa e gjallë dhe shpirti i një kombi.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit