Djali me këmbën e thyer dhe ndërgjegjja e plagosur e një shoqërie

Ndaje

Nuk munda ta shihja dje deri në fund këtë pamje që më tronditi thellë dhe më la një dhimbje të papërshkrueshme në shpirt, teksa shihja atë djalë me këmbën e thyer, që i varej, ndërsa dhjetë policë e tërhiqnin, sikur përpara tyre të mos ishte një njeri që po vuante, por një trup pa dhimbje dhe pa dinjitet. Jam e sigurt se, ashtu si unë, janë ndier shumë nëna që, përballë asaj pamjeje, nuk kanë parë thjesht një protestues apo një të ri të përfshirë në një ngjarje të rëndë, por kanë parë djalin e tyre, fëmijën që kanë rritur me dashuri, për të cilin janë shqetësuar netëve pa gjumë dhe të cilin do të donin ta mbronin nga çdo dhimbje që jeta mund t’i shkaktonte. Sepse, pavarësisht bindjeve tona, mendimeve që kemi apo qëndrimeve që mbajmë, në një çast të tillë nuk mund të mos pyesim veten se , çfarë ndien një nënë kur sheh të birin në atë gjendje, çfarë përjeton familja që e ndjek atë pamje dhe sa e rëndë duhet të jetë pafuqia për të mos qenë pranë fëmijës tënd në një moment kur ai ka nevojë për ndihmë dhe mbrojtje. Nuk është e nevojshme të jesh dakord me çdo protestë, të mbështesësh çdo qëndrim apo të ndash të njëjtat bindje me dikë, për të kuptuar se dhimbja njerëzore nuk mund të bëhet e parëndësishme dhe se respekti për dinjitetin e njeriut duhet të mbetet i paprekshëm, edhe në rrethanat më të vështira. Një shoqëri nuk matet vetëm nga mënyra se si ushtron autoritetin, por edhe nga mënyra se si e trajton njeriun kur ai është i plagosur, i pambrojtur, i paaftë të mbrojë veten. Pikërisht në ato çaste zbulohet nëse kemi ruajtur ende ndjeshmërinë, nëse e kuptojmë vlerën e jetës dhe nëse jemi të aftë të dallojmë forcën nga humanizmi. Sepse ai djalë mund të jetë djali i kujtdo prej nesh dhe dhimbja e tij nuk duhet të na ndajë në kampe, por të na kujtojë se, përpara çdo bindjeje politike, përpara çdo konflikti dhe përpara çdo përplasjeje, jemi njerëz, me familje, me ndjenja dhe me të drejtën për t’u trajtuar me dinjitet.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit