Alkimisti, rruga drejt vetvetes.

Ndaje

E kam lexuar “Alkimisti” para shumë vitesh, në një kohë kur ëndrrat më dukeshin më të thjeshta dhe rrugët më të drejta, pa shumë kthesa të papritura. Libri rrëfen historinë e Santiagos, një bari i ri andaluzian që jeton një jetë të qetë, pothuajse të parashikueshme, derisa një ëndërr e përsëritur e shtyn të kërkojë një thesar pranë piramidave të Egjiptit. Kjo është pika e nisjes, por në të vërtetë është vetëm një pretekst, sepse ajo që pason nuk është thjesht një udhëtim gjeografik, por një proces i gjatë i njohjes së vetes. Gjatë rrugës, ai takon njerëz që nuk janë aty rastësisht,një mbret i vjetër që i flet për “Legjendën Personale”, një tregtar kristalesh që jeton mes ëndrrës dhe dorëzimit, një anglez që kërkon dijen në libra dhe një alkimist që i mëson të dëgjojë botën përtej fjalëve. Secili prej tyre është një pasqyrë e mundshme e vetes sonë, një version i asaj që mund të bëhemi nëse zgjedhim të ecim përpara ose nëse vendosim të ndalemi. Ajo që më ka mbetur më shumë nga përmbajtja nuk është vetë ideja e thesarit, por mënyra si libri ndërton konceptin e rrugës si një seri shenjash që duhen lexuar, si një dialog i heshtur mes njeriut dhe botës. Paulo Coelho e paraqet jetën si një lloj harmonie të fshehtë, ku çdo gjë ka kuptim nëse je i vëmendshëm mjaftueshëm për ta kuptuar. Një nga idetë më të forta të librit është ajo e “Gjuhës së Botës”, një mënyrë komunikimi që nuk ka nevojë për fjalë, por për ndjeshmëri. Santiago mëson të kuptojë shenjat, të dëgjojë intuitën dhe të besojë se rruga e tij ka një drejtim edhe kur ai vetë nuk e sheh qartë. Por rruga nuk është lineare dhe as e lehtë. Ai humbet para, përballet me pasiguri, kalon nëpër frikë dhe dyshim, dhe shpesh tundimi për t’u kthyer pas është shumë real. Dhe ndoshta këtu qëndron një nga dimensionet më të sinqerta të librit,fakti që ëndrrat nuk realizohen në një vijë të drejtë, por përmes një sërë provash që të detyrojnë të rritesh. Ajo që sot më duket më domethënëse është mënyra si libri trajton zgjedhjen mes rehatisë dhe ëndrrës. Ka momente kur Santiago mund të ndalet, të ndërtojë një jetë të qëndrueshme dhe të harrojë gjithçka tjetër dhe pikërisht këto janë momentet më të rrezikshme, sepse janë më të qetat, më të arsyeshmet, më “të sigurta”.
Kështu thesari që ai kërkon nuk është thjesht një objekt i fshehur, por një metaforë për vetë rrugën që bën, për transformimin që përjeton dhe për kuptimin që ndërton gjatë saj. Sepse ajo që fiton në fund nuk është vetëm ajo që gjen, por ai që bëhesh. Kur e kam lexuar për herë të parë, e kam parë si një histori të bukur për të ndjekur ëndrrat. Sot, kur e rikujtoj, më duket më shumë si një reflektim për çmimin që ka kjo zgjedhje.
Sepse nuk është gjithmonë e lehtë të ndjekësh ëndrrën tënde. Por ndoshta është edhe më e vështirë ta dish që mund ta kishe bërë dhe nuk e bëre.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit