A mund të ketë disiplinë pa mirëkuptim?

Ndaje

Ka një iluzion të vjetër, të rrënjosur thellë në mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet e autoritetit në familje, në shkollë dhe në shoqëri në tërësi, sipas të cilit disiplina mund të imponohet pa u shpjeguar, rregulli mund të zbatohet pa u kuptuar dhe bindja mjafton për të ndërtuar një rend të qëndrueshëm, edhe pse në thelb kjo bindje shpesh mbetet e zbrazët nga çdo përmbajtje e brendshme. Në sipërfaqe, kjo formë disipline duket sikur funksionon, sepse krijon një iluzion stabiliteti ku rregullat respektohen, urdhrat zbatohen dhe sjelljet mbahen nën kontroll, por në një plan më të thellë psikologjik, ajo nuk ndërton asgjë të qëndrueshme, përveç një varësie të vazhdueshme nga prania e autoritetit që e imponon atë rend, duke e bërë atë të brishtë dhe të përkohshëm. Në thelb, disiplina është një strukturë që vendos kufij dhe orienton sjelljen, por mirëkuptimi është ai element që i jep kësaj strukture kuptim, drejtim dhe jetëgjatësi, sepse pa të, çdo rregull mbetet një formë e jashtme detyrimi, e cila nuk arrin të depërtojë në ndërgjegjen e individit dhe për këtë arsye nuk mund të shndërrohet në vetëdisiplinë. Në planin psikologjik, kjo diferencë shfaqet qartë në mënyrën se si individi e përjeton rregullin kur ai e ndjek atë vetëm nga frika e ndëshkimit apo nga dëshira për të shmangur pasojat, ai mbetet i lidhur me një kontroll të jashtëm, ndërsa kur e ndjek sepse e kupton arsyen dhe drejtësinë e tij, ai fillon ta përvetësojë rregullin si pjesë të vetes, duke ndërtuar një mekanizëm të brendshëm vetërregullimi. Kjo është arsyeja pse disiplina pa mirëkuptim prodhon më shumë bindje sesa përgjegjësi, sepse individi mëson të sillet sipas rregullave vetëm në prani të kontrollit, por jo domosdoshmërisht të besojë në to apo t’i zbatojë në mungesë të tij, duke krijuar kështu një hendek të rrezikshëm mes sjelljes së jashtme dhe bindjes së brendshme. Në kontekstin e edukimit, kjo dilemë bëhet edhe më e dukshme, sepse një fëmijë që rritet në një ambient ku rregullat imponohen pa u shpjeguar, mëson të bindet por jo të kuptojë, të përshtatet, por jo të reflektojë, dhe kjo e bën atë të brishtë përballë situatave ku kërkohet gjykim i pavarur, ndërsa një fëmijë që përfshihet në procesin e kuptimit të rregullave fillon t’i ndërtojë ato si pjesë të identitetit të tij. Megjithatë, nuk mund të mohohet se në faza të caktuara të zhvillimit dhe në situata të caktuara praktike, disiplina e jashtme, edhe pa një nivel të plotë mirëkuptimi, është e nevojshme për të krijuar kufij bazë dhe për të garantuar sigurinë, por problemi lind kur kjo formë mbetet e vetmja mënyrë funksionimi dhe nuk evoluon drejt një forme më të ndërgjegjshme dhe më të brendshme. Një nga pasojat më të rëndësishme të disiplinës pa mirëkuptim është krijimi i një tensioni të brendshëm, shpesh të padukshëm, ku individi nga jashtë duket i bindur dhe i rregullt, por brenda tij zhvillohet një ndjenjë rezistence, padrejtësie apo dëshire për të sfiduar rregullin, gjë që shpesh shpërthen në forma rebelimi sapo presioni i jashtëm dobësohet. Në të kundërt, disiplina e mbështetur në mirëkuptim krijon një marrëdhënie më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme me rregullin, sepse individi nuk e percepton atë si një kufizim të imponuar nga jashtë, por si një mjet që e ndihmon të organizojë jetën e tij, të marrë vendime më të mira dhe të ndërtojë një ndjenjë përgjegjësie personale.
Edhe pse disiplina mund të ekzistojë pa mirëkuptim, ajo mbetet e mangët, sepse nuk arrin të ndërtojë atë që është më e rëndësishmja,një individ që vepron drejt jo sepse detyrohet, por sepse e kupton dhe e beson drejtësinë e veprimit të tij, dhe pikërisht këtu qëndron dallimi mes një rendi që mbahet me forcë dhe një rendi që jeton përmes ndërgjegjes.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit