Ka pamje që nuk mbarojnë aty ku përfundon videoja. Ato mbeten në mendje, të trazojnë dhe të bëjnë të mendosh gjatë për shoqërinë ku jetojmë, për vlerat që mbrojmë dhe për kufirin e hollë mes autoritetit dhe abuzimit me pushtetin. Pamjet e policëve që godasin të rinjtë me shkopinj gome janë të tilla. Të shohësh njerëz të goditur, të përballesh me imazhin e një 28-vjeçari që rrezikon të humbasë shikimin, të bën të ndalesh përtej çdo bindjeje politike dhe të pyesësh veten: kur u bë kaq e lehtë të lëndojmë njëri-tjetrin? Më vjen ndër mend mendimi i filozofit Immanuel Kant, sipas të cilit njeriu duhet trajtuar gjithmonë si qëllim në vetvete dhe kurrë thjesht si mjet. Sa thellë duhet ta kuptojmë këtë parim, sidomos kur përballë nesh qëndron një njeri që mendon ndryshe, kundërshton apo ngre zërin për atë që beson se është e drejtë! Një uniformë nuk e zhvesh njeriun nga përgjegjësia morale, as një shkop gome nuk e shuan detyrimin për të respektuar dinjitetin e tjetrit. Autoriteti kërkon vetëpërmbajtje, ndërsa forca, kur përdoret, duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit dhe të domosdoshmërisë. Përndryshe, ajo që duhet të garantojë siguri mund të kthehet në burim frike. Dhe pastaj është syri i atij të riu, një plagë që na fton të mendojmë përtej çastit. Syri është drita me të cilën shohim botën, fytyrat e njerëzve tanë, librat, detin, rrugët dhe të ardhmen. Mendimi se një njeri mund të humbasë shikimin në një protestë është tronditës, sepse na kujton sa e brishtë është jeta dhe sa e rëndë mund të jetë pasoja e një çasti dhune. Nuk është e nevojshme të jesh dakord me një protestë për të mbrojtur të drejtën e protestuesit për të mos u dhunuar. Nuk është e nevojshme të ndash bindjet e dikujt për të ndier dhimbje për plagën e tij. Pikërisht këtu fillon ndërgjegjja qytetare,në aftësinë për ta parë tjetrin si njeri, edhe kur ai nuk mendon si ne. Ndoshta problemi më i madh nuk është vetëm dhuna që shohim, por rreziku që një ditë të mësohemi me të, që pamjet e të rinjve të goditur të mos na tronditin më dhe që dhimbjen e tjetrit ta gjykojmë sipas anës politike ku qëndron. Kur ndodh kjo, nuk varfërohet vetëm debati publik por vetë njerëzimi ynë. Një shtet demokratik duhet të ketë forcën të ruajë rendin, por edhe mençurinë të mos e ngatërrojë rendin me heshtjen. Duhet të ketë institucione që mbrojnë qytetarët, mekanizma që zbardhin të vërtetën dhe drejtësi që nuk varet nga emri, bindja apo pozita e atij që ka gabuar. Për këtë arsye, pamjet e dhunës duhet të ndiqen nga një hetim i paanshëm dhe përgjegjësi konkrete, jo të treten në zhurmën e deklaratave. E nayrshëm me duket se pyetja më e rëndësishme nuk është se kush doli fitues nga një përplasje, por çfarë mbetet brenda nesh pasi e kemi parë atë. A mbetemi njerëz që ndiejmë, që kërkojmë drejtësi dhe që nuk pranojmë poshtërimin e tjetrit, apo bëhemi spektatorë të zakonshëm të dhimbjes? Sepse një shoqëri nuk e humbet dritën vetëm kur një njeri rrezikon të humbasë shikimin, por edhe kur ne të tjerët mësohemi të mbyllim sytë përballë dhunës.
