Kur e keqja bëhet e zakonshme

Ndaje

“Bashkimi me të tjerët nuk e çliron njeriun nga përgjegjësia për atë që bën.”

Hannah Arendt,ishte një nga mendimtaret më të rëndësishme politike të shekullit XX. Filozofe dhe teoriciene politike me origjinë hebraike, ajo e përjetoi nga afër përndjekjen naziste, u detyrua të largohej nga Gjermania dhe ia kushtoi një pjesë të madhe të veprës së saj studimit të totalitarizmit, pushtetit dhe përgjegjësisë morale. Por ajo që e bën Arendtin ende tronditëse nuk është vetëm analiza e diktaturave por pyetja që na lë përballë vetes: Si mund të bëhet njeriu pjesë e së keqes, pa e konsideruar veten të keq? Në librin e saj Eichmann në Jerusalem, Arendt formuloi konceptin e famshëm të “banalitetit të së keqes”. Duke analizuar gjyqin e Adolf Eichmannit, një prej organizatorëve të deportimit të hebrenjve gjatë Holokaustit, ajo vuri në dukje një të vërtetë shqetësuese, e keqja nuk shfaqet gjithmonë me fytyrën e një përbindëshi. Ndonjëherë ajo fshihet pas një njeriu të zakonshëm, i cili zbaton urdhra, përsërit justifikime dhe heq dorë nga gjykimi i vet moral. Kjo nuk do të thotë se krimet janë të parëndësishme apo se përgjegjësia zhduket. Përkundrazi, Arendt na kujton se pikërisht bindja e verbër dhe refuzimi për të menduar mund ta bëjnë njeriun bashkëpunëtor të padrejtësisë. Arendt na ndihmon të kuptojmë edhe mekanizmat e pushtetit autoritar. Pushteti nuk mbështetet vetëm te dhuna, por edhe te frika, propaganda, konformizmi dhe dëshira e njerëzve për të mos dalë kundër shumicës. Kur e vërteta bëhet e pakëndshme, kur fjala e lirë shihet si kërcënim dhe kur njerëzit mësohen të heshtin për të ruajtur pozicionin e tyre, shoqëria nis të humbasë aftësinë për të dalluar të drejtën nga e padrejta. Rreziku më i madh nuk është vetëm ai që ushtron dhunën, por edhe sistemi që e normalizon atë, njerëzit që e justifikojnë dhe institucionet që heqin dorë nga përgjegjësia. Të mendosh është një akt përgjegjësie Për Arendtin, të menduarit nuk ishte një luks intelektual por një domosdoshmëri morale. Të mendosh do të thotë të ndalosh përpara urdhrit, të vësh në dyshim atë që të gjithë e pranojnë dhe të pyesësh veten nëse mund të jetosh me pasojat e veprimeve të tua. Njeriu që nuk mendon, rrezikon të shndërrohet në një zbatues mekanik të vullnetit të dikujt tjetër. Ai mund të flasë gjuhën e ligjit, të rregullit dhe të detyrës, ndërsa harron njeriun që qëndron përballë tij. Mendimi kritik është një mbrojtje kundër bindjes së verbër. Në një shoqëri ku njerëzit gjykohen nga përkatësia, ku heshtja shpërblehet dhe kundërshtimi ndëshkohet, Arendt na fton të mos ia dorëzojmë askujt ndërgjegjen tonë. Sepse historia nuk ndërtohet vetëm nga udhëheqësit që marrin vendime. Ajo ndërtohet edhe nga ata që i zbatojnë, nga ata që i justifikojnë dhe nga ata që, duke parë padrejtësinë, zgjedhin të mos flasin.Trashëgimia e Hannah Arendtit na lë përpara një pyetjeje që kapërcen kohën e saj se kur bindja bëhet më e rëndësishme se ndërgjegjja, kush mban përgjegjësi për të keqen? Ndoshta pikërisht këtu qëndron aktualiteti i saj se liria nuk fillon vetëm kur njeriu ka të drejtë të flasë, por edhe kur ka guximin të mendojë vetë, të gjykojë me ndërgjegje dhe të mos e quajë të drejtë atë që është e padrejtë, vetëm sepse kështu e kërkon pushteti. Hannah Arendt nuk na kërkon vetëm të kuptojmë historinë por përgjegjësinë tonë brenda saj.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit