La Traviata, një magji që nuk harrohet

Ndaje

Isha shumë e vogël kur Televizioni Shqiptar i asaj kohe transmetoi La Traviata-n e Giuseppe Verdit. Nuk e kuptoja ende madhështinë e operas, nuk njihja historinë e saj dhe as mund ta përfytyroja se sa jetë kishte përshkuar ajo muzikë përpara se të mbërrinte te unë. Por mbaj mend magjepsjen. Diçka në ato zëra, në atë muzikë që dukej sikur vinte nga një botë tjetër, më mbajti të mbërthyer përpara ekranit. Ishte një ndjesi e veçantë, një mrekulli që, edhe pse nuk mund ta shpjegoja me fjalë, e ndieja thellë brenda vetes. Ndoshta kështu lind dashuria për artin, jo gjithmonë nga njohuria, por nga një emocion që të prek përpara se të dish t’i japësh emër. Një melodi, një skenë, një zë që ngrihet mbi orkestrën dhe depërton në shpirt, duke lënë aty një gjurmë që koha nuk arrin ta fshijë. Me kalimin e viteve, kuptova më shumë për historinë e Violettës, për dashurinë e saj me Alfredon dhe për tragjedinë e një gruaje që kërkonte të jetonte e të dashuronte përtej paragjykimeve të shoqërisë. Por magjia e parë mbeti e paprekur. Ajo që kisha përjetuar si fëmijë nuk ishte thjesht kënaqësia e të dëgjuarit muzikë por zbulimi i një bote ku ndjenjat njerëzore merrnin një fuqi të jashtëzakonshme. La Traviata, kjo kryevepër e Giuseppe Verdit, më mësoi, ndoshta pa e kuptuar ende, se arti ka një mënyrë të vetën për të na shoqëruar gjatë gjithë jetës. Disa vepra i njohim kur jemi të rritur, i analizojmë, i interpretojmë dhe i kuptojmë përmes përvojës. Por disa të tjera na gjejnë herët, kur shpirti është ende i hapur ndaj mrekullive, dhe mbeten pjesë e kujtesës sonë emocionale. Sot, kur rikthehem te kjo operë, nuk dëgjoj vetëm muzikën e Verdit por jehonën e asaj vajze të vogël që rrinte përpara televizorit dhe mrekullohej nga një art që ende nuk e njihte. Dhe mendoj se sa e çmuar është të kesh kujtime të tilla, sepse ato nuk na rikthejnë vetëm te veprat që kemi dashur, por edhe te vetja jonë e dikurshme, te çastet kur bota na dukej e re dhe bukuria mund të na linte pa fjalë. Ndoshta kjo është një nga dhuratat më të mëdha të artit, të mbetet brenda nesh, edhe kur vitet kalojnë, dhe të na rikthejë, qoftë edhe për pak çaste, te emocionet e para që na kanë formuar sepse ka melodi që i dëgjojmë me veshë, por ka edhe të tilla që i ruajmë në kujtesë si pjesë të historisë sonë. Për mua, La Traviata është njëra prej tyre. Dhe sa herë që muzika e Verdit ngrihet sërish, bashkë me të zgjohet edhe ajo magjepsje e fëmijërisë, e pastër, e papërsëritshme, që më kujton se bukuria e vërtetë nuk njeh moshë dhe se disa dashuri për artin lindin shumë përpara se të mësojmë t’i shpjegojmë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit