Ne formësohemi dhe modelohemi nga ajo që duam

Ndaje

Në këtë fjali të Goethe-s fshihet një ide e thellë filozofike dhe etike njëkohësisht se njeriu nuk është thjesht produkt i rrethanave të jashtme, por mbi të gjitha i dëshirave të tij të brendshme, të cilat me kalimin e kohës ndikojnë mënyrën se si ai mendon, si vepron dhe si ndërton identitetin e vet. Por pikërisht këtu fillon edhe një nga sfidat më të mëdha të jetës njerëzore.
Jo çdo dëshirë është e drejtë, jo çdo zgjedhje është e thjeshtë dhe jo çdo vendim është pa pasojë morale. Në këtë pikë hyn etika, si një udhërrëfyes i padukshëm që përpiqet të dallojë të drejtën nga e padrejta, të pranueshmen nga e dëmshmja, dhe të përgjegjshmen nga ajo që është thjesht e leverdishme në moment. Etika nuk na jep gjithmonë përgjigje të lehta, por na detyron të mendojmë më thellë për pasojat e veprimeve tona, jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët që preken prej tyre. Në jetën e përditshme, njeriu shpesh gjendet përballë dilemave etike, pra situatave ku nuk ka një zgjedhje të pastër midis së drejtës dhe së gabuarës, por dy rrugë që përplasen me njëra-tjetrën dhe secila ka arsyet dhe pasojat e veta. Për shembull, një student mund të përballet me dilemë nëse duhet të ndihmojë një shok gjatë një testi apo të ruajë ndershmërinë akademike,një punonjës mund të përballet me zgjedhjen mes heshtjes për një padrejtësi në punë ose rrezikut për të humbur vendin e punës nëse flet,një mjek mund të detyrohet të vendosë mes rregullit strikt dhe shpëtimit të një jete në kushte emergjente. Këto dilema nuk janë thjesht teori, por momente reale ku njeriu zbulohet për atë që është, sepse në mungesë të përgjigjeve të gatshme, ai detyrohet të mbështetet në ndërgjegjen e tij dhe në mënyrën si i ka formuar vlerat gjatë jetës. Dhe këtu lidhet drejtpërdrejt ideja e Goethe-s.
Ajo që ne dëshirojmë dhe ushqejmë brenda vetes, në fund ndikon mënyrën si marrim vendime kur përballemi me situata të vështira. Marrja e vendimeve është momenti ku etika dhe dëshira takohen në mënyrën më të drejtpërdrejtë. Sepse çdo vendim është një zgjedhje midis alternativave, por njëkohësisht edhe një deklaratë e heshtur e asaj që ne konsiderojmë të rëndësishme. Një vendim i nxituar mund të sjellë përfitim të menjëhershëm, por dëm afatgjatë ndërsa një vendim i drejtë mund të kërkojë sakrificë në moment, por ndërton karakter dhe besueshmëri në kohë. Për shembull, një nxënës që zgjedh të mos kopjojë në provim, edhe pse ka mundësi, po merr një vendim etik që forcon karakterin e tij, edhe nëse nota mund të jetë më e ulët në atë moment. Një punonjës që refuzon të marrë pjesë në një praktikë të padrejtë, edhe pse rrezikon konflikt, po ndërton një identitet profesional të bazuar në integritet. Këto vendime nuk duken gjithmonë fitimprurëse menjëherë, por ato formësojnë mënyrën se si njeriu bëhet në afat të gjatë. Në këtë kuptim, dëshirat nuk janë neutrale. Ato janë forca që na shtyjnë drejt vendimeve por njëkohësisht janë edhe ato që duhet të kontrollohen nga etika. Sepse një shoqëri ku dëshirat nuk filtrohen nga ndërgjegjja rrezikon të kthehet në një hapësirë ku vendimet merren vetëm mbi interesin e menjëhershëm, duke humbur ndjenjën e drejtësisë dhe përgjegjësisë.
Goethe na kujton se njeriu nuk është i dhënë njëherë e përgjithmonë, por ndërtohet çdo ditë përmes asaj që dëshiron, përmes dilemave që përballon dhe përmes vendimeve që merr. Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm “çfarë dua?”, por edhe çfarë po më bën ajo që dua, dhe çfarë njeriu po më formëson ajo në heshtje.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit