Peter L. Berger.Modernizimi, globalizimi dhe njeriu në tranzicionin modern

Ndaje

Në historinë e sociologjisë moderne, emri i Peter L. Berger mbetet ndër më të rëndësishmit për mënyrën se si ai analizoi marrëdhënien mes shoqërisë, fesë dhe transformimeve moderne. Berger nuk ishte vetëm sociolog por dhe një mendimtar që përpiqej të kuptonte njeriun modern në një botë që ndryshonte me shpejtësi. Në qendër të studimeve të tij qëndronin modernizimi dhe globalizimi, dy procese që kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si jetojnë dhe mendojnë njerëzit. Sipas Berger, modernizimi është procesi përmes të cilit shoqëritë tradicionale kalojnë drejt formave moderne të organizimit ekonomik, kulturor dhe social. Ky proces shoqërohet me zhvillimin e industrisë, urbanizimin, teknologjinë dhe zgjerimin e arsimit. Njeriu modern fillon të largohet nga mënyrat tradicionale të jetesës dhe të mbështetet më shumë te racionaliteti, shkenca dhe zgjedhja individuale. Një nga karakteristikat kryesore të modernizimit është urbanizimi. Njerëzit zhvendosen nga zonat rurale drejt qyteteve, ku ritmi i jetës bëhet më dinamik dhe marrëdhëniet njerëzore më pak tradicionale. Në qytet, individi përballet me shumë ide, kultura dhe mënyra jetese, gjë që krijon një realitet më kompleks se ai i komuniteteve tradicionale.Një tjetër element thelbësor është racionalizimi. Berger argumentonte se shoqëritë moderne mbështeten gjithnjë e më shumë te logjika dhe shkenca. Vendimet nuk merren më vetëm mbi bazën e zakoneve apo autoritetit fetar, por mbi analiza praktike dhe mendim racional. Kjo sjell zhvillim ekonomik dhe teknologjik, por njëkohësisht krijon edhe ndjenjë pasigurie dhe largimi nga traditat e vjetra.Modernizimi sjell gjithashtu individualizëm. Në shoqëritë tradicionale identiteti i individit përcaktohej kryesisht nga familja, feja apo komuniteti ndërsa në shoqërinë moderne, individi fiton më shumë liri për të zgjedhur profesionin, bindjet, mënyrën e jetesës dhe identitetin e vet. Berger e shihte këtë si një çlirim, por edhe si një barrë, sepse njeriu modern duhet të marrë vazhdimisht vendime për jetën e tij. Një ndër konceptet më të njohura të Berger lidhet me sekularizimin. Ai mendonte fillimisht se modernizimi do të sillte dobësimin e rolit të fesë në jetën publike. Sipas tij, zhvillimi i shkencës dhe racionalitetit do ta zhvendoste fenë nga qendra e shoqërisë. Megjithatë, më vonë Berger pranoi se feja nuk u zhduk përkundrazi, në shumë vende të botës ajo vazhdoi të kishte ndikim të madh, duke treguar se moderniteti dhe feja mund të bashkëjetojnë. Në këtë kontekst lidhet edhe koncepti i globalizmit që përfaqëson zgjerimin e lidhjeve ekonomike, kulturore dhe teknologjike ndërmjet vendeve të botës. Berger e shihte globalizimin si vazhdim të modernizimit, ku kufijtë kulturorë dhe ekonomikë bëhen gjithnjë e më të hapur. Sipas tij, globalizimi sjell shkëmbim idesh, kulturash dhe mënyrash jetese. Përmes teknologjisë dhe mediave, njerëzit ndikohen nga kultura të ndryshme dhe krijojnë identitete më të hapura globale. Megjithatë, Berger theksonte se globalizimi nuk i zhduk kulturat lokale por krijon një përballje të vazhdueshme mes traditës dhe modernes, ku shoqëritë përpiqen të ruajnë identitetin e tyre duke u përshtatur me botën globale.Peter Berger e analizoi modernizimin dhe globalizimin si procese që ndryshojnë jo vetëm ekonominë dhe politikën, por edhe mënyrën si njerëzit mendojnë, besojnë dhe ndërtojnë identitetin e tyre. Ai tregoi se njeriu modern jeton në një botë me shumë zgjedhje, ndikime dhe pasiguri, ku tradita dhe moderniteti bashkëjetojnë në tension të vazhdueshëm. Mendimet e Berger mbeten aktuale edhe sot, në një epokë ku globalizimi dhe teknologjia vazhdojnë të transformojnë jetën e shoqërive moderne.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit