Refleksi i parë përballë çdo ndryshimi që duket se rrezikon rendin e njohur, është kontrolli,më shumë rregulla, më shumë verifikime, më shumë kufizime që synojnë të mbajnë nën kontroll një realitet që po ndryshon më shpejt se vetë institucionet. Në rastin e inteligjencës artificiale, ky refleks është i kuptueshëm por jo domosdoshmërisht i mjaftueshëm.Sepse historia e teknologjisë ka treguar vazhdimisht se ndalimi është një iluzion i përkohshëm. Mjetet që e bëjnë dijen më të aksesueshme nuk zhduken, ato thjesht gjejnë rrugë të reja për t’u përdorur dhe çdo përpjekje për t’i përjashtuar plotësisht nga procesi mësimor rrezikon të krijojë një hendek mes asaj që ndodh brenda auditorit dhe asaj që studentët përjetojnë jashtë tij. Alternativa është më pak e rehatshme, por më e qëndrueshme, bashkëpunimi.Të pranosh AI-në si pjesë të realitetit arsimor nuk do të thotë të heqësh dorë nga standardet, por të rishikosh mënyrën si ato ndërtohen dhe zbatohen. Do të thotë të ridizenjosh detyrat në mënyrë që ato të mos testojnë vetëm aftësinë për të prodhuar tekst, por aftësinë për të menduar, për të analizuar dhe për të mbrojtur një ide. Do të thotë të kalosh nga vlerësimi i rezultatit te vlerësimi i procesit nga “çfarë ke shkruar” te “si ke arritur deri aty”. Në këtë kontekst, roli i pedagogut nuk zbehet por ai transformohet. Pedagogu nuk është më burimi i vetëm i dijes, në një botë ku informacioni është i aksesueshëm në çdo moment. Por ai mbetet filtri më i rëndësishëm i saj,ai që ndihmon studentin të dallojë mes asaj që është e saktë dhe asaj që është thjesht e formuluar mirë, mes një përgjigjeje të shpejtë dhe një mendimi të thelluar. Ai bëhet më pak transmetues informacioni dhe më shumë udhërrëfyes në procesin e të menduarit. Kjo kërkon një zhvendosje të thellë edhe në vetë mënyrën si ndërtohet mësimdhënia. Diskutimi në auditor nuk mund të jetë më thjesht riprodhim i materialit, sepse AI mund ta bëjë këtë më shpejt dhe më qartë. Ai duhet të kthehet në një hapësirë ku idetë testohen, sfidohen dhe zhvillohen në kohë reale. Detyrat duhet të kërkojnë reflektim personal, lidhje me kontekstin, argumentim të qëndrueshëm,elementë që nuk mund të delegohen plotësisht.Por mbi të gjitha, kërkon një ndryshim në marrëdhënien mes pedagogut dhe studentit.
Kontrolli i tepërt krijon distancë dhe mosbesim. Bashkëpunimi përkundrazi kërkon transparencë,të pranosh që AI ekziston dhe përdoret, por të vendosësh kufij të qartë mbi mënyrën si përdoret. Të ndërtosh një kulturë ku përdorimi i saj nuk fshihet, por diskutohet, analizohet dhe vendoset në shërbim të të mësuarit.Sepse pyetja nuk është nëse pedagogët do ta “fitojnë” këtë përballje me AI-në. Pyetja është nëse ata do të arrijnë ta kthejnë atë në një aleat që forcon procesin arsimor, pa e zëvendësuar thelbin e tij.
Dhe ky thelb mbetet i pandryshuar,formimi i një mendjeje që nuk mjaftohet me përgjigje të gatshme, por kërkon të kuptojë, të analizojë dhe të krijojë kuptim vetë.Nëse pedagogët arrijnë ta mbrojnë këtë, atëherë bashkëpunimi me AI-në nuk është kompromis por evolucion.
Ndaje
