Mendimi kritik nuk është një aftësi që shfaqet menjëherë, as një talent i lindur që e ke ose nuk e ke. Ai ndërtohet ngadalë, në heshtje, përmes kohës, pasigurisë dhe një sërë gabimesh që shpesh janë më të vlefshme se vetë përgjigjet e sakta. Është një proces i brendshëm që kërkon durim,të ndalesh te një ide, ta kthesh nga disa kënde, ta vësh në dyshim, ta rrëzosh dhe ta ndërtosh sërish. Inteligjenca artificiale, në formën e saj më të aksesueshme, i shkurton pikërisht këto etapa. Ajo ofron përgjigje të shpejta, të strukturuara dhe shpesh bindëse, duke e bërë procesin e kërkimit të duket i panevojshëm ose të paktën i tejzgjatur. Kur çdo përgjigje është një klik larg, tundimi për të mos u ndalur gjatë mbi një pyetje bëhet i madh pothuajse i natyrshëm.
Por këtu qëndron paradoksi.Rreziku nuk është që studentët nuk dinë, sepse informacioni nuk ka qenë kurrë më i aksesueshëm se sot. Rreziku i vërtetë është që ata të mos mësojnë si të dyshojnë mbi atë që dinë, si të vënë në pikëpyetje një përgjigje, si të dallojnë mes asaj që tingëllon e saktë dhe asaj që është vërtet e menduar. Dhe një mendje që nuk dyshon, me kalimin e kohës, pushon së zhvilluari.Sepse mendimi kritik nuk është thjesht të gjesh përgjigjen e duhur por të dish pse ajo është e duhur, dhe në çfarë kushtesh mund të mos jetë.Nëse një student mësohet të marrë përgjigje pa kaluar përmes procesit të ndërtimit të tyre, ai fillon gradualisht të humbasë një aftësi më të thellë, aftësinë për të qëndruar në pasiguri dhe pikërisht kjo aftësi është thelbësore, jo vetëm në akademi, por në çdo vendimmarrje të rëndësishme në jetë. Sepse realiteti nuk ofron gjithmonë përgjigje të qarta, të strukturuara dhe të menjëhershme përkundrazi, shpesh kërkon gjykim, analizë dhe njëfarë guximi për të mos qenë i sigurt.Në këtë kontekst, përdorimi i AI-së bëhet një çështje jo thjesht teknologjike por edukative.Pyetja nuk është nëse studentët duhet ta përdorin apo jo sepse kjo tashmë është e pashmangshme. Pyetja reale është si po e përdorin,si një mjet që i ndihmon të shkojnë më thellë në mendim, apo si një zëvendësues që ua kursen këtë përpjekje? A po e përdorin për të testuar idetë e tyre, për t’i sfiduar ato, për të parë këndvështrime të tjera apo thjesht për të marrë një version të gatshëm që nuk kërkon më ndërhyrjen e tyre?
Sepse ndryshimi mes këtyre dy mënyrave është thelbësor.Njëra e forcon mendimin kritik, duke e bërë më të strukturuar dhe më të ndërgjegjshëm. Tjetra e dobëson, duke e zhvendosur rolin e studentit nga një mendje aktive në një përzgjedhës pasiv të përgjigjeve.Dhe nëse kjo e dyta bëhet normë, atëherë nuk kemi thjesht një ndryshim në mënyrën si mësohet por një transformim në mënyrën si mendohet. Sfida për universitetin dhe për vetë studentët është të mbrojnë hapësirën e mendimit të pavarur, edhe në një botë që ofron përgjigje të menjëhershme. Të kultivojnë durimin për të mos pranuar përgjigjen e parë si përfundimtare, dhe guximin për të bërë pyetje edhe kur duket se gjithçka është thënë tashmë.Sepse një student që di të përdorë AI-në është i përgatitur për të sotmen.Por një student që di të mendojë kritikisht, edhe përtej saj, është i përgatitur për të ardhmen.
Ndaje
