E ardhmja e diplomës në një botë me AI

Ndaje

Ka qenë për një kohë të gjatë një premtim i heshtur, nëse studion, nëse merr një diplomë, ke siguruar një lloj vlere që të shoqëron në tregun e punës dhe në jetën profesionale. Diploma ka qenë jo vetëm dëshmi njohurie, por edhe një garanci besimi,një mënyrë për t’i thënë botës se ky person ka kaluar një proces, ka fituar dije dhe meriton një vend.Por ky premtim po rinegociohet.Në një botë ku informacioni është i aksesueshëm në çdo moment, ku inteligjenca artificiale mund të prodhojë përgjigje, analiza dhe madje edhe zgjidhje komplekse brenda sekondave, vetë ideja e dijes si privilegj fillon të zbehet. Nuk është më e vështirë të gjesh informacion,është më e vështirë të dish çfarë të bësh me të.Dhe pikërisht këtu fillon të ndryshojë pesha e diplomës.Sepse nëse dikur universitetet certifikonin kryesisht atë që dije, sot ato përballen me nevojën për të dëshmuar diçka më të thellë, si mendon, si analizon, si lidh ide dhe si përballesh me probleme që nuk kanë një përgjigje të vetme. Në këtë kuptim, diploma rrezikon të mbetet një simbol formal, nëse nuk shoqërohet me një përmbajtje reale që reflekton këto aftësi.
Studentët e ndjejnë këtë ndryshim, edhe në mënyrë intuitive.Ata e kuptojnë se një notë e lartë apo një diplomë e mirë nuk mjafton më për të dalluar në një treg ku aftësitë testohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshme. Dhe kjo krijon një tension të ri mes asaj që kërkon sistemi akademik dhe asaj që kërkon realiteti profesional.Nëse universiteti mbetet i lidhur vetëm me modele tradicionale vlerësimi, ai rrezikon të prodhojë diploma që kanë më shumë vlerë brenda institucionit sesa jashtë tij.Por nëse arrin të përshtatet, mund të bëhet më i rëndësishëm se kurrë.Kjo kërkon një rishikim të thellë të vetë mënyrës si konceptohet arsimi i lartë. Diploma nuk mund të jetë më vetëm një përmbledhje kursesh dhe notash por dëshmi e një procesi formimi, ku studenti ka zhvilluar aftësi të matshme dhe të transferueshme,të menduar kritik, zgjidhje problemesh, kreativitet, aftësi komunikimi dhe, mbi të gjitha, aftësinë për të mësuar vazhdimisht.
Sepse në një botë me AI, ajo që di sot mund të bëhet e vjetruar shumë shpejt. Ajo që mbetet e qëndrueshme është aftësia për t’u përshtatur.
Në këtë kontekst, ndoshta pyetja nuk është më “çfarë vlere ka diploma?”, por “çfarë përfaqëson ajo në të vërtetë?”.Nëse ajo vazhdon të përfaqësojë thjesht përfundimin e një cikli studimi, rrezikon të humbasë kuptimin e saj. Por nëse arrin të përfaqësojë një mënyrë të të menduarit, një aftësi për të përballuar kompleksitetin dhe për të krijuar vlerë në një botë të paqëndrueshme, atëherë ajo nuk humbet përkundrazi, transformohet.Sepse në një epokë ku gjithkush mund të ketë akses në dije, ajo që bën diferencën nuk është ajo që ke një diplomë por cfarë je në gjendje të bësh me të.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit