Çfarë do të thotë të jesh “i hedhur” në botë, pa zgjedhje paraprake, pa një udhëzues dhe pa një siguri të qartë për drejtimin? Martin Heidegger, një nga figurat qendrore të filozofisë së shekullit XX dhe i lidhur ngushtë me fenomenologjinë dhe ekzistencializmin, e përdor idenë e “hedhjes në botë” për të përshkruar gjendjen themelore të njeriut. Njeriu nuk vjen në botë si një projekt i përfunduar apo si një qënie që e ka zgjedhur vetë fillimin e saj, por si dikush që gjendet papritur brenda një realiteti që tashmë ekziston. Kjo është ajo që Heidegger e quan Geworfenheit “hedhja”. Ne nuk e zgjedhim kohën, vendin, familjen, gjuhën apo kulturën ku lindim. Të gjitha këto janë kushte paraprake që na formësojnë përpara se të kemi mundësinë të pyesim se kush jemi. Në këtë kuptim, ekzistenca njerëzore fillon gjithmonë nga një situatë që nuk e kemi kontrolluar. Metafora e spirancës në një oqean të madh e thellon këtë ide se njeriu nuk është thjesht i vendosur në një hapësirë të qetë dhe të qëndrueshme, por i ekspozuar ndaj një bote të hapur, të pafund dhe shpesh të paqartë. Oqeani përfaqëson botën si tërësi e mundësive, rreziqeve dhe paqartësive, ndërsa spiranca sugjeron nevojën për të krijuar një lloj stabiliteti në një realitet që në vetvete është i paqëndrueshëm. Në këtë kuptim, njeriu nuk është një vëzhgues i jashtëm i botës, por është gjithmonë tashmë brenda saj. Ai nuk e sodit jetën nga një distancë neutrale, por është i përfshirë në të, i ndikuar nga ajo dhe njëkohësisht përpjekur të orientohet brenda saj.Ky është thelbi i konceptit të tij për qenien njerëzore si Dasein,” qënia-këtu”. Njeriu nuk është thjesht një objekt mes objekteve të tjera në botë, por një qenie që e kupton veten, që pyet për kuptimin e ekzistencës së saj dhe që përballet me vetë faktin e të qenit.Hedhja në botë nuk është vetëm një gjendje fillestare, por një përvojë e vazhdueshme. Edhe kur përpiqemi të krijojmë siguri përmes dijes, punës, marrëdhënieve apo strukturave shoqërore,ne gjithmonë mbetemi të ekspozuar ndaj pasigurisë së ekzistencës. Nuk ka një pikë përfundimtare ku njeriu del plotësisht nga kjo gjendje e “hedhjes”. Në këtë kuadër, spiranca bëhet një simbol i përpjekjes njerëzore për stabilitet. Ajo përfaqëson nevojën tonë për kuptim, për drejtim, për një pikë ku të mbështetemi. Por oqeani mbetet gjithmonë më i madh se çdo spirancë pra realiteti gjithmonë e tejkalon çdo përpjekje tonë për ta kontrolluar plotësisht. Heidegger na çon kështu drejt një reflektimi të thellë ekzistencial,ne nuk jemi zotër të plotë të fillimit tonë, por jemi përgjegjës për mënyrën si e jetojmë atë. Të jesh “i hedhur” nuk do të thotë të jesh i pafuqishëm, por të jesh i detyruar të orientohesh vetë në një botë që nuk të jep udhëzime të gatshme. Dhe ndoshta këtu qëndron edhe tensioni më i madh i ekzistencës njerëzore. Ne kërkojmë tokë të fortë në një realitet që nuk premton qëndrueshmëri absolute.Por pikërisht në këtë kërkim, në këtë përpjekje për të lundruar në oqeanin e madh të qënies, formohet kuptimi i jetës sonë.
“Ne jemi të hedhur në botë njësoj si hidhet spiranca për të lundruar në një oqean të madh” Martin Heidegger
