Ka momente në historinë e artit kur syri i njeriut nuk shikon më për të parë botën e jashtme, por kthehet nga brenda, drejt asaj që nuk ishte parë kurrë më parë. Një prej këtyre momenteve lidhet me studimet anatomike të Leonardo da Vinci, veçanërisht me vizatimin e njohur si “Fetusi në mitër” rreth vitit 1510–1513, një imazh që ende sot lë një heshtje të çuditshme midis shkencës dhe ndjeshmërisë. Në shikim të parë, është një skicë anatomike, një trup i vogël njerëzor i vendosur në një hapësirë organike, të përthyer, të ngrohtë, të mbrojtur por në thelb, nuk është thjesht një studim biologjik por një përpjekje për të parë fillimin e jetës pa mit, pa frikë dhe pa perde.
Leonardo nuk e trajtoi trupin e njeriut si një kufi, por si një proces. Në një kohë kur shumë gjëra rreth lindjes dhe zhvillimit embrional ishin të mbuluara nga misteri, ai zgjodhi rrugën më të vështirë, vëzhgimin e drejtpërdrejtë. Në veprën “ Fetusi në mitër”, ai nuk kërkon të idealizojë jetën e papërfunduar, por ta kuptojë atë. Barku i nënës nuk paraqitet si simbol romantik, por si një hapësirë biologjike, funksionale, e ndërlikuar. Mitra shfaqet si një strukturë që mban, ushqen dhe formëson jetën, një laborator natyror i heshtur.
Kjo është ajo që e bën vizatimin të jashtëzakonshëm, ai nuk është i butë për të qenë i bukur, por i saktë për të qenë i vërtetë.
Në këtë vepër, Leonardo qëndron në një kufi delikat ku nga njëra anë, ai është shkencëtar që kërkon të kuptojë mekanizmin e jetës. Nga ana tjetër, është artist që nuk mund të mos ndiejë peshën e asaj që po shikon. Sepse të shohësh jetën në fazën e saj më të hershme nuk është vetëm akt njohjeje por akt përgjegjësie. Aty ku syri depërton në intimitetin më të thellë të natyrës, lind edhe pyetja: deri ku mund të shkojë vështrimi njerëzor pa e humbur ndjeshmërinë? Leonardo nuk jep përgjigje morale por thjesht shënon atë që sheh, me një qetësi që sot duket gati e pamundur.Në këtë vizatim, fetusi nuk është thjesht subjekt. Ai është qendër e një sistemi. Rreth tij, mitra nuk është sfond, por strukturë mbrojtëse; një formë që duket sikur ndjek logjikën e një arkitekture të brendshme. Kjo është një nga idetë më të forta të Leonardos se trupi nuk është kaos biologjik, por rend i fshehur. Çdo formë ka funksion. Çdo mbështjellje ka kuptim. Edhe ajo që nuk shihet drejtpërdrejt, ekziston si pjesë e një sistemi të menduar mirë nga natyra.Sot, “Fetusi në mitër” lexohet jo vetëm si vizatim anatomik, por si një moment kthese në mënyrën se si njeriu filloi të shikojë jetën e tij. Ai shënon kalimin nga miti te vëzhgimi, nga simboli te struktura, nga misteri i paprekshëm te kurioziteti i argumentuar.Por, paradoksalisht, sa më shumë që e shpjegon shkencërisht, aq më shumë ai të rikthen te misteri. Sepse edhe kur e sheh me sytë e anatomisë, jeta që po formohet aty mbetet ende një pyetje e hapur. Kjo vepër nuk flet vetëm për trupin e njeriut në fillim të ekzistencës por për një fillim tjetër, për momentin kur njeriu vendosi ta shikojë jetën pa frikë nga e vërteta e saj.Dhe ndoshta kjo është trashëgimia më e heshtur e Leonardos, guximi për të hyrë atje ku jeta ende nuk ka marrë emër dhe për ta parë atë jo si tabu, por si mister që meriton të kuptohet
Ndaje
